Sot do të zhvillohet mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në fokus do të jenë sfidat parlamentare dhe axhenda ligjore e javëve në vijim.
Në këtë takim do të marrin pjesë jo vetëm deputetët socialistë, por edhe ministrat e kabinetit qeveritar si dhe disa drejtues institucionesh, duke e kthyer mbledhjen në një forum të gjerë koordinimi politik dhe institucional.
Sipas agjendës, fjalën hapëse do ta mbajë kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, i cili pritet të paraqesë prioritetet dhe sfidat kryesore në Kuvend. Më pas, do të vijojë adresimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili pritet të japë orientime politike dhe të ndalet te reformat dhe projektligjet kryesore.
Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe raportimet nga drejtuesja e Kadastrës, si dhe nga bashkëkryetari i PS për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, i cili do të paraqesë ecurinë dhe hapat e mëtejshëm të kësaj reforme.
Në qendër të mbledhjes pritet të jenë disa nisma të rëndësishme ligjore, përfshirë Kodin e ri Penal dhe ligjin për referendumin, i cili pritet të depozitohet së shpejti në Kuvend. Po ashtu, në vëmendje do të jenë edhe dy reforma të rëndësishme jozgjedhore, veçanërisht ajo territoriale.
Mbledhja pritet të mbyllet me konkluzionet përkatëse dhe me përcaktimin e hapave konkretë për përballimin e sfidave parlamentare në periudhën në vijim.
