Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka konfirmuar për agjencinë Reuters se hakerë të dyshuar me lidhje me Iranin kanë arritur të depërtojnë në email-et personale të drejtorit të FBI, Kash Patel.
Sipas raportimit, sulmi kibernetik dyshohet të jetë kryer nga një grup që e quan veten “Handala Hack”. Ky grup ka deklaruar publikisht se ka marrë akses në kutinë postare të Patel, duke publikuar më pas materiale që pretendohet se i përkasin atij, përfshirë fotografi personale dhe një CV.
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i tha Reuters se materialet e publikuara duken autentike, duke ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave të zyrtarëve të lartë amerikanë.
Deri më tani, FBI nuk ka bërë asnjë koment zyrtar lidhur me këtë incident, ndërsa nuk dihet ende nëse janë komprometuar informacione të ndjeshme apo të klasifikuara.

