Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të karburanteve në Shqipëri, duke e cilësuar këtë situatë si një abuzim të hapur ndaj qytetarëve.

Sipas tij, rritja e çmimit ka ndodhur vetëm pak orë pasi ishte reflektuar një ulje, çka sipas tij tregon një model të përsëritur manipulimi nga tregu. Ai e cilëson “Bordin e transparencës” si një strukturë që, në vend të mbrojë qytetarët, po ndikon në rritjen e çmimeve.

Hoxha thekson se tregtarët e naftës po sillen sikur operojnë drejtpërdrejt me çmimet e bursës ndërkombëtare, ndërkohë që, sipas tij, ata funksionojnë mbi baza stoqesh të mëparshme. Për këtë arsye, ai e konsideron të pajustifikueshme rritjen e menjëhershme të çmimeve pas çdo lëvizjeje minimale në bursë, duke e cilësuar si “spekulim të pastër”.

Reagimi i plotë
Bordi i hajdutëve e rriti çmimin e karburantit vetëm pak orë pasi bëri sikur e uli. Kjo sjellje nuk është rastësi, por një model i qartë abuzimi me qytetarët.
​Tregtarët e naftës sillen sikur janë të lidhur drejtpërdrejt me bursën, ndërkohë që në realitet nuk operojnë mbi rezerva të çastit, por mbi stoqe të mëparshme. Rritja e menjëhershme e çmimit, sapo ka një lëvizje minimale në bursë, është spekulim i pastër dhe i pajustifikueshëm. Një krahasim i thjeshtë mes çmimit të zhdoganimit dhe atij në treg e nxjerr qartë këtë abuzim.
​Mjaft me lojën e brokerave trafikantë që kërkojnë të nxjerrin fitime të padrejta në kurriz të qytetarëve.
​Së dyti, qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë me një paketë 3-mujore mbrojtjeje sociale për shtresat në nevojë. Pensionistët duhet të subvencionohen me 100 euro në muaj për përballimin e rritjes së çmimeve. Po ashtu, personat me ndihmë ekonomike dhe ata me paaftësi për punë duhet të përfshihen në këtë skemë rimbursimi.
​Kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme për këto kategori. Shteti ka detyrimin të ndërhyjë dhe të nxjerrë qytetarët nga kjo situatë e padrejtë, e krijuar nga abuzimi dhe spekulimi në treg.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb