Vetëm disa orë pas betimit të qeverisë së re në Nepal, autoritetet kanë arrestuar ish-kryeministrin Khadga Prasad Sharma Oli, lidhur me shtypjen e përgjakshme të protestave të shtatorit të kaluar, ku humbën jetën 76 persona dhe mbi 2,300 të tjerë mbetën të plagosur. Policia ndërhyri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke e ndaluar ish-kreun e qeverisë në rezidencën e tij në periferi të Kathmandu. Së bashku me të u arrestua edhe ish-ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, i akuzuar se ka urdhëruar hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.
Lajmi për arrestimet u bë publik nga ministri aktual i Brendshëm, Gurung, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se “askush nuk është mbi ligjin” dhe se procesi synon drejtësi, jo hakmarrje. Sipas një hetimi të zhvilluar nga një komitet qeveritar, Oli, Lekhak dhe ish-drejtuesi i policisë rrezikojnë deri në 10 vite burg për rolin e tyre në ngjarjet e përgjakshme. Të dy të arrestuarit janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie drejt zyrave rajonale të policisë në kryeqytet.
Këto zhvillime vijnë vetëm një ditë pasi qeveria e re, e drejtuar nga Balendra Shah, mori detyrën pas fitores së thellë të Rastriya Swatantra Party në zgjedhjet parlamentare. Udhëheqja e re ka premtuar zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat.
Zgjedhjet ishin të parat që nga protestat masive antiqeveritare të 8 dhe 9 shtatorit, të nxitura kryesisht nga të rinjtë dhe aktivistët kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, të cilat shkaktuan dhjetëra viktima dhe dëme të konsiderueshme në institucionet shtetërore. Kriza politike çoi më herët në emërimin e Sushila Karki si kryeministrja e parë femër e vendit, e cila drejtoi një qeveri kalimtare deri në zhvillimin e zgjedhjeve dhe formimin e kabinetit të ri.
