Kryeministri Edi Rama ka bërë sot një panoramë të negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa theksoi se duhet të kalohet nga drita e kuqe në atë jeshile sa i takon Prokurimeve Publike. Ai tha se viti 2027 duhet ta gjejë Shqipërinë me objekte të realizuara.
“Çfarë flitet në publik është shumë e reduktuar në gjëra ose shumë bazike ose tërësisht pa lidhje me procesin. Sigurisht që procesi ka shumë ngarkesë dhe realisht është për tu përgëzuar skuadra e negociatave.
Ajo që më bie në sy është domosdoshmëria për të kaluar nga drita e kuqe në atë jeshile në prokurimin publik, ku kemi bërë një progres të madh por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë që nënkupton plotësim të këtij aspektit në kuadrin e kushteve. E sjell në vëmendje sepse është vendimtare që puna e nisur për modernizimin e mëtejshëm me AI për prokurimin publik duhet të vijojë. 2027 duhet të na gjejë me objektiv të realizuar.
Kontrolli financiar, edhe aty progresi është i kufizuar. Sfida e sfidave është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit në tërësi”, tha ai.
Sakaq, ai foli edhe për reformën e inspektimit, duke deklaruar se ajo duhet të vijojë dhe se në të është kyç drejtimi politik nga të gjitha ministritë, “në sensin e mbrojtjes së reformës nga ndërhyrjet partiake dhe qokat politike”.
“Reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i reformës nga të gjithë ministritë në sensin e mbrojtjes së reformës nga ndërhyrjet partiake dhe qokat politike. Ajo që ka nisur me AKU duhet të shtrihet në gjithë inspektoratet e tjera për të garantuar burime njerëzore cilësore ose potencialisht cilësore, të rinj e të reja që janë për t’u vënë në shërbim të sfidave por që kanë edhe mundësi që të përfitojnë nga trajnimet, edukimi në vazhdim në atë proces, në mënyrë që niveli i inspektimit të rritet ndjeshëm sepse është kyç që të garantohen reformat që po bëhen në këto drejtime sepse në fund të ditës, çështja shkon tek zbatimi dhe zbatimi ka domosdoshmëri monitorimin e vazhdueshëm. Para disa javësh institucionet e BE kanë kryer një kontroll në lidhje me pikat ku trajtohet gjëja e gjallë, lidhur me blegtorinë, që është një nga komponentët më delikatë të procesit të anëtarësimit në BE dhe ka qenë i tillë për vendet që kanë hyrë para nesh. Kontrollet kanë lënë disa detyra, plotësimi i të cilave e çon më përpara progresin dhe e bën më të afërt plotësimin e kushteve në këtë fushë, që kërkon monitorim dhe kontroll shumë sistematik dhe kompetent nga institucionet tona. E solla si shembull për të thënë pse është e domosdoshme sot që këtë proces ta shoqërojmë me një proces të rritjes së cilësisë së inspektimit”, u shpreh ai.
