Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me drejtuesit dhe koordinatorët politikë, ka bërë thirrje për hapjen e partisë dhe rritjen e anëtarësimeve të reja, duke e cilësuar këtë si një prioritet të menjëhershëm për strukturat.

Berisha theksoi se çdo drejtues duhet të ketë si standard pune zgjerimin e partisë dhe përfshirjen e anëtarëve të rinj, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me performancën politike. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të hapim PD-në. Çdo kryetar dhe koordinator duhet të ketë etalon anëtarësimet e reja dhe hapjen e partisë,” u shpreh ai.

Ai pranoi se aktualisht ekzistojnë probleme serioze në procesin e anëtarësimeve, duke theksuar se shumë qytetarë që kërkojnë të bëhen pjesë e Partisë Demokratike nuk po gjejnë mundësinë për t’u regjistruar. “Janë me qindra, madje mijëra demokratë të paanëtarësuar që kërkojnë të marrin dokumentet e PD. Nuk ka kush ua ofron. Kjo është e pafalshme për ne,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, situata kërkon një ndryshim të qasjes nga strukturat, duke kaluar nga thirrjet formale tek vlerësimi konkret i punës në terren dhe angazhimi për të përfshirë sa më shumë qytetarë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb