Parlamenti i Izraelit miratoi të hënën një ligj të diskutueshëm që do ta bënte dënimin me vdekje normë për palestinezët e dënuar nga gjykatat ushtarake për sulme vrasëse, duke përmbushur një premtim nga aleatët e ekstremit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu .
Ligji do ta bënte të detyrueshëm “dënimin me vdekje për terroristët”, por në praktikë do të zbatohej vetëm për palestinezët e dënuar për sulme anti-Izrael. Projektligji u miratua me
62 vota pro dhe 48 kundër. Netanyahu ishte midis atyre që votuan pro, siç ishte, sigurisht, edhe ministri i tij, Itamar Ben-Gvir , i cili u përpoq të hapte shampanjë.
Sipas këtij projektligji, “ kushdo që me dashje ose nga pakujdesia shkakton vdekjen e një qytetari izraelit për arsye racizmi ose armiqësie ndaj një komuniteti, dhe me qëllim dëmtimin e Shtetit të Izraelit dhe rilindjes së popullit hebre në tokën e tij, do të përballet me dënimin me vdekje.”
Para votimit të sotëm, projektligji ishte kritikuar ashpër nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë , të cilët theksuan se ai çon në diskriminim de facto kundër palestinezëve dhe minon angazhimet e Izraelit ndaj parimeve demokratike.
Një OJQ izraelite për të drejtat e njeriut njoftoi menjëherë se po apelonte në Gjykatën Supreme të Izraelit, duke sfiduar vlefshmërinë e ligjit, disa minuta pasi ai u miratua nga Knesseti.
Ligji është “kushtetues, de facto diskriminues dhe, për palestinezët në Bregun Perëndimor, u miratua pa bazë ligjore”, tha në një deklaratë Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI).
Në Izrael, dënimi me vdekje për krimin e vrasjes u hoq në vitin 1954. I vetmi person i ekzekutuar ndonjëherë në vend pas një gjyqi civil ishte Adolf Eichmann , arkitekti i Holokaustit, në vitin 1962.
Gjykatat ushtarake ruajnë mundësinë për të vendosur dënimin me vdekje ndaj të pandehurve, por nuk e kanë bërë këtë deri më tani.
