Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e betimit të drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e cilësuar këtë një moment të rëndësishëm për institucionin e sigurisë.
Në fjalën e tij, Lamallari u shpreh se është kënaqësi të jetë pjesë e një momenti kaq të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, sidomos në një kohë kur nevoja për forcimin e këtij institucioni është e madhe. Ai theksoi se përzgjedhja e drejtuesit të ri ka kaluar në disa faza, me qëllim garantimin që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohej një figure të besueshme. “Fituesi duhej të ishte një dhe vetëm një, por vlerësoj të gjitha kandidaturat që morën pjesë në këtë proces”, u shpreh ministri.
Duke u ndalur te drejtori i ri, Lamallari deklaroi se Hita gëzon mbështetjen e plotë të ministrisë dhe qeverisë, duke shtuar se ai është një figurë me përvojë dhe profesionalizëm që garanton stabilitet dhe vazhdimësi në drejtimin e Policisë së Shtetit.
Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përmbushjes së misionit si shërbëtorë publikë dhe lidhi këtë me procesin e integrimit të vendit në Bashkimi Evropian. Sipas tij, negociatat janë të hapura dhe progresi i Shqipërisë po vlerësohet nga partnerët ndërkombëtarë. “Kjo nuk është thjesht retorikë”, theksoi Lamallari, duke shtuar se institucionet duhet të vijojnë punën për të përmbushur standardet e kërkuara në rrugën drejt integrimit evropian.
“E nderuar Zv.kryeministre Albana Koçiu,
I nderuar Zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Bizhga
Të nderuar të pranishëm,
Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit,
Është kënaqësi dhe përgjegjësi e veçantë për mua si Ministër i Punëve të Brendshme të marr pjesë në këtë moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, duke i besuar drejtimin e saj një drejtuesi të ri, në një kohë kur kërkesat ndaj këtij institucioni janë më të larta se kurrë. Ceremonia që na ka bërë këtu bashkë sot nuk është thjesht formalizimi i lidershipit të ri të Policisë së Shtetit, por kjo ditë shënon edhe rikonfirmimin e angazhimit tonë për një organizatë gjithnjë e më profesionale, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve. Përtej solemnitetit dhe formalitetit të këtij rasti, dua të evidentoj tre elementë domethënës.
Së pari, për të mbërritur në këtë ceremoni është kaluar përmes një procesi transparent dhe të bazuar mbi merita. Në cdo fazë është përfshirë vlerësimi i përvojës, profesionalizmi dhe integriteti i kandidatëve, duke siguruar që drejtimi i këtij institucioni kyç t’i besohet një një figure që përfaqëson standardet më të larta publike e profesionale të kësaj organizate. Pavarësisht fituesit, i cili në cdo rast do të ishte një, unë dua të vlerësoj të gjithë kandidatët e tjerë që morën pjesë në këtë garë për drejtimin e Policisë së Shtetit. Angazhimi, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre tregojnë forcën e talentit dhe përvojës që ekziston brenda strukturave tona. Secili prej tyre kontribuon në ngritjen e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.
Së dyti, jam i bindur se të gjithë ju këtu e më gjerë në radhët e Policisë së Shtetit e jo vetëm, bini dakord me faktin se Skënder Hita reflekton besimin se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr Policinë e Shtetit në një moment të rëndësishëm për vendin, duke garantuar stabilitet, lidership të vendosur dhe përkushtim ndaj shërbimit ndaj qytetarëve dhe ligjit. Ai është një oficer karriere, profesionist dhe i udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë që ka mbajtur. Unë kam pasur fatin dhe mundësinë ta njoh nga afër e të punoj me të për një kohë të gjatë. Do të vazhdojmë sot e tutje të bashkërendojmë punët, për të përmbushur misionin tonë si shërbëtorë publik.
Ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria. Vendi ynë është në një proces real dhe të pandalshëm drejt integrimit në Bashkimin Europian. Negociatat janë të hapura, reformat po avancojnë dhe progresi i Shqipërisë po vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët tanë europianë. Ky është një proces që nuk matet me retorikë, por me rezultate konkrete, me institucione të forta dhe me standarde të qëndrueshme. Në këtë rrugëtim, Policia e Shtetit ka një rol thelbësor. Sepse integrimi europian nuk është vetëm një proces politik apo teknik; është një transformim i përditshëm i shtetit dhe shoqërisë.
Është ndërtimi i një Shqipërie ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku siguria është e garantuar dhe ku institucionet janë të besueshme. Çdo hap përpara në luftën kundër krimit, çdo standard i rritur profesional, çdo qytetar që ndjehet më i sigurt, është një hap më afër Europës. Nga ana tjetër, duhet ta themi qartë: çdo përpjekje për të cenuar rendin, për të nxitur dhunë apo për të dëmtuar imazhin e vendit, është një pengesë për këtë rrugëtim. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e stabilitetit, të ligjit dhe të zhvillimit dhe kjo rrugë nuk do të ndalet.
Z. Drejtor, ju merrni këtë detyrë në një moment kur kërkohet lidership i fortë, vizion i qartë dhe vendosmëri. Besimi që ju është dhënë sot është njëkohësisht edhe një pritshmëri e lartë, për të çuar përpara një polici moderne, profesionale dhe të denjë për standardet europiane. Roli juaj është i qartë: të forconi më tej profesionalizmin, të thelloni luftën kundër paligjshmërisë dhe të garantoni që Policia e Shtetit të mbetet një institucion në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta, një institucion që ofron shërbim dhe nuk qaset vetëm si forcë represive, një organizatë që modernizohet vazhdimisht dhe është në lartësinë e sfidave të kohës! Në emër të Ministrisë së Brendshme, ju uroj suksese në këtë detyrë të rëndësishme. Shqipëria ecën përpara. Edhe Policia e Shtetit është dhe do të mbetet një nga garantët kryesorë të këtij rrugëtimi drejt Europës. Faleminderit.”, tha Lamallari.
