Kryetari i PD, Sali Berisha u ka bërë thirrje shqiptarëve në Barnetin Lindor, Londër, të mbështesin kandidaten e Partisë Konservatore, Anila Skeja.

Përmes një videomesazhi, Berisha e vlerëson Skejan si përfaqësuese dinjitoze të komunitetit shqiptar dhe thekson angazhimin e saj në politikë dhe në shërbim të komunitetit, ndërsa ndjek studimet në King’s College London.

Ai i fton bashkëkombasit të votojnë për të, duke e cilësuar si një zgjedhje të merituar për përfaqësimin në Barnetin Lindor.

Videomesazhi i plotë

Të dashur bashkëkombase dhe bashkëkombas të mi me banim në Barnetin Lindor, në Londër, Britaninë e Madhe,

Me këtë mesazh dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, por gjithashtu t’ju ftoj që të mbështesni kandidaten e Partisë Konservatore, një demokrate e zjarrtë, znj. Anila Skeja, e cila është një përfaqësuese dinjitoze e gruas dhe vajzës shqiptare. Një përfaqësuese dinjitoze e të gjithë komunitetit të Barnetit Lindor.

Anila ka një karrierë të gjatë në Partinë Konservatore dhe gëzon vlerësime të mëdha nga kjo parti. Ajo studion aktualisht për master në King’s College, por ka pasur gjithmonë kohën që, krahas veprimtarisë private, t’i përkushtohet komunitetit dhe problemeve të tij.

Ndaj, ju ftoj të votoni për Anila Skejan, një përfaqësuese plotësisht të merituar të komunitetit shqiptar, e cila do të nderojë familjen, komunitetin dhe të gjithë zonën si anëtare e parlamentit vendor të Barnetit Lindor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb