Temperaturat e ulëta kanë sjellë reshje dëbore në disa zona të qarkut të Kukësit, kryesisht në segmentet e larta malore, ku është shfaqur edhe mjegull e dendur.
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, reshjet e dëborës janë regjistruar në aksin Kukës-Shishtavec, ku kompania kontraktore ka ndërhyrë menjëherë me mjete borëpastruese dhe punëtorë për të mbajtur të kalueshëm segmentin rrugor.
Ndërhyrjet janë përqendruar veçanërisht në pjesën nga Ura e Shtrezës deri në doganën e Shishtavecit, ku ka edhe prani të dëborës dhe mjegullës së dendur. Sipas të dhënave nga terreni, intensiteti i reshjeve të dëborës në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit është në rënie. I gjithë qarku i Kukësit është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje shiu në zonat e ulëta dhe reshje dëbore në zonat e larta malore. Kushtet atmosferike janë shoqëruar edhe me erëra të forta.
Megjithatë, sipas informacioneve nga terreni, trashësia e dëborës në zonat e larta malore nuk ka kaluar 3 centimetra, çka deri tani nuk ka krijuar probleme serioze në lëvizjen e automjeteve apo në qarkullimin rrugor. Ndërkohë, në segmentin Kukës–Tunel të Rrugës së Kombit, sipas kompanisë mirëmbajtëse, nuk ka prezencë dëbore. Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht dhe pa probleme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt zonave të thella malore dhe të respektojnë udhëzimet e policisë rrugore dhe të shërbimeve të mirëmbajtjes.
