Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Këlcyrë, në kuadër të një operacioni policor të koduar “Fugitive”, i zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit në qarkun e Gjirokastrës.

Në pranga ka rënë 51-vjeçari Fatbardh Çela alias Gentian Çela, banues në Këlcyrë, i cili ishte dënuar me 10 vite burgim nga autoritetet italiane për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u organizua nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Këlcyrë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit. Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

51-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Veronës e kishte dënuar me 10 vite burg për trafik droge.

Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Romë, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb