Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar zhvillimet politike brenda mazhorancës, duke u ndalur te ambiciet për garat lokale dhe figurat që po shfaqin interes për kandidim.
I ftuar në studion e News24, Koçi e cilësoi si një “risi pozitive” ambicien e deputetit Erion Braçe për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës nën siglën e PS-së.
Sipas tij, nuk ka një klimë armiqësore ndaj Braçes brenda partisë, pavarësisht faktit se ai ka qenë shpesh kritik ndaj mazhorancës për çështje të caktuara. Koçi theksoi se përvoja dhe profili politik i Braçes e bëjnë atë një kandidat të përshtatshëm për drejtimin e kryeqytetit.
“E shoh si një zgjedhje optimale dhe në të mirë të Partisë Socialiste. Është një natyrë e disiplinuar në moral politik dhe ka përvojë shtetërore”, u shpreh ai, duke shtuar se vendimi final do të merret nga forumet e partisë.
Nga ana tjetër, Koçi komentoi edhe dëshirën e ish-deputetit të PS-së, Arben Malaj, për të kandiduar si i pavarur në Vlorë, duke u shprehur skeptik ndaj këtij skenari.
Ai vlerësoi kontributin e Malajt ndër vite, por theksoi se një kandidim i pavarur nuk do të ishte i këshillueshëm, pasi sipas tij nuk do të mirëkuptohej nga elektorati socialist.
“Do të ishte një barrë që nuk i takon dhe mund të sillte një dëm të dyanshëm, por më shumë ndaj vetes”, u shpreh Koçi.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur brenda Partisë Socialiste po shtohen diskutimet për kandidaturat në zgjedhjet vendore, duke nxjerrë në pah ambicie dhe qëndrime të ndryshme nga figura të njohura të saj.
