Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, ka komentuar ashpër situatën brenda Partisë Demokratike, duke e konsideruar lidershipin e Sali Berishës si shkakun kryesor të krizës në opozitë.
I ftuar në News24, Koçi u shpreh se me një lider tjetër, PD nuk do të ishte në gjendjen aktuale, ndërsa përdori një gjuhë të fortë ndaj Berishës, duke e cilësuar atë “një kalë të ngordhur në krye të opozitës”.
Sipas tij, përballë kësaj situate, kryeministri Edi Rama e ka të lehtë të sigurojë fitore elektorale, pasi qytetarët, edhe pse mund të kenë kritika ndaj qeverisë, do të zgjedhin atë si alternativë më të qëndrueshme.
Koçi theksoi se problemet e PD-së nuk lidhen vetëm me përplasjet e brendshme, por me mungesën e “shëndetit moral” dhe të një lidershipi të qëndrueshëm. Ai shtoi se rikthimi i Berishës në krye të partisë, pas shpalljes “non grata”, sipas tij e përkeqësoi situatën.
Duke komentuar protestat e paralajmëruara nga PD, ai u shpreh skeptik për suksesin e tyre, duke i cilësuar si “dështimin e radhës”. Sipas Koçit, përdorimi i mjeteve të dhunshme në protesta nuk krijon normalitet politik dhe mund të rrezikojë vetë protestuesit.
Ai kritikoi gjithashtu retorikën e brendshme në PD, duke pretenduar se partia është e përfshirë në përjashtime të vazhdueshme dhe konflikte të brendshme, ndërsa shtoi se dominimi i Berishës mbetet absolut.
Në fund, Koçi ngriti edhe dyshime mbi burimet financiare që, sipas tij, mbështesin aktivitetin politik të opozitës, duke theksuar se një varësi e tillë nuk mund ta çojë PD-në drejt suksesit afatgjatë.
“Protestën e radhës së PD e shoh si dështimin e radhës. Habitem kur thonë që këto i bëjnë për të arritur vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Si mund të rropatësh njerëzit rrugëve dhe të rrezikshme se ata me molotovë nëpër duar mund të dëmtohen edhe vetë. Ata vetë janë simboli i anormalitetit kur thonë se po përjashtojnë armiqtë që zbulojnë brenda çdo ditë e çdo orë. Nuk krijohet normalitet me grushte, shkelma e zjarr. Kur kanë krijuar normalitet ata me këto bëma? Kjo ka lidhje me situatën e brendshme në PD, do bëhen zgjedhjet, duhet të përjashtohet Salianji sipas tyre, sepse aty është vetëm Berisha mbret mbi mbretërit. Ai është edhe investitori kryesor i financimit të gjithë këtij projekti politik të viteve të fundit. Se ku i ka paratë që paguan deri në SHBA për të hequr njollën që ka, besoj se kjo varësi financiare që ka PD nga familja Berisha nuk e çon dot larg”, u shpreh ai.
