Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u përgjigj në Kuvend ndaj kritikave të deputetes së PD-së, Jorida Tabaku, për Korporatën e Investimeve, duke theksuar se institucioni u krijua në vitin 2019 me qëllim që shteti të luajë një rol aktiv në zhvillimin ekonomik, jo të mbetet pasiv.
Ibrahimaj shpjegoi funksionimin dhe strukturën e korporatës, duke sqaruar se dhënia e pronave nuk bëhet përmes prokurimeve publike, por sipas ligjeve përkatëse.
“Korporata e Investimeve Shqiptare funksionon prej më shumë se gjashtë vitesh. Qëllimi ishte që shteti të mos veprojë pasiv, por të ketë një qasje aktive dhe sipërmarrëse ndaj pronës. Nuk e kemi krijuar modelin nga zero, por bazuar në praktikat e ngjashme në Evropë. Struktura e saj funksionon në dy nivele: drejtori ekzekutiv dhe këshilli mbikëqyrës, ku pjesa më e madhe është e pavarur. Vetëm 2 nga 7 anëtarët e bordit janë funksionarë shtetërorë. Të gjitha rregullat janë të bazuara në balancë, kontroll dhe pavarësi institucionale,” tha ministrja.
Ajo theksoi gjithashtu se gjatë vitit 2024 korporata është fokusuar në zhvillimin e planeve të biznesit, ndërsa përdorimi i pronës shtetërore bëhet përmes partneriteteve me privatët, duke rritur vlerën e aseteve të degraduara sipas politikës së njohur “Shqipëria 1 euro”.
“Çdo pronë që korporata merr është një aset i degraduar me vlerë të ulët, i cili zhvillohet në partneritet me sektorin privat,” përfundoi Ibrahimaj. Sakaq, Tabaku e cilësoi koorporatën e investimeve si ‘ishull paligjshmërie’.
