Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën e brendshme në Partinë Demokratike, duke u ndalur te përplasjet mes lidershipit dhe ish-deputetit Ervin Salianji, si dhe përjashtimet e fundit të disa anëtarëve për shkak të mbështetjes ndaj tij.
Duka u ndal konkretisht te dy raste në Durrës, duke përmendur emrat e Arlind Boshkut dhe Dritan Burgijës, për të cilët tha se i njeh personalisht dhe ka bashkëpunuar gjatë fushatave elektorale.
“Dy raste në Durrës, Boshku dhe Burgija. I kam takuar të dy, kam bërë fushatë edhe unë në Durrës. Janë të dy të PD-së, por Burgija, me komunikimet që kam pasur unë, ka pasur hatërmbetje me PD, por kurrë nuk ka votuar PS. Boshku është takuar disa herë me mua në takime elektorale dhe ka mbështetur kandidatin e PAA në listën e PD,” u shpreh ai.
Sipas Dukës, vendimet për përjashtime brenda PD-së nuk janë të qarta dhe rrezikojnë të dëmtojnë vetë opozitën.
“Nuk e di pse i marrin këto vendime në PD, por besoj se kjo çon në bjerrjen e opozitës. Nuk forcohet kështu opozita, nuk besoj,” theksoi ai.
Kreu i PAA ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi standardet demokratike brenda partisë, duke i konsideruar këto zhvillime në kontrast me kërkesat për zgjedhje të ndershme.
“Nga një anë kërkojnë zgjedhje të ndershme, kjo nuk më duket e ndershme. Për këta dy personazhe që i njoh dhe i di si kanë rrjedhur ngjarjet në fushatë, jam i detyruar të flas,” deklaroi Duka.
Ai shtoi se beson që përjashtimet lidhen me mbështetjen ndaj Salianjit, duke theksuar se edhe një grup tjetër brenda PD-së e ka mbështetur ish-deputetin. Sipas tij, do të kishte qenë më e udhës që kjo mbështetje të kanalizohej në një garë të hapur brenda partisë.
“Do ishte e udhës të gjenin mënyrën dhe të flisnin që ky grup të nxirrte kandidatin e vet në garë për kryetar partie, edhe pse një kryetar në detyrë është e vështirë të mundet. Rrezaton një figurë, unë po të isha do e kisha lejuar garën,” u shpreh ai.
