TIRANË- Agron Gjekmarkaj ka bërë një analizë lidhur me situatën politike në vend. Gjekmarkaj nuk ka kursyer ironitë për figurat politike shqiptare, ndërsa u ndal edhe te situata e tensionuar se seancës plenare të zhvilluar në Kuvend.
Gjekmarkaj sjell në vëmendje edhe përplasjet e fundit në PS, duke u shprehur se duket se Erion Braçe i ka trazuar gjërat sidomos pasi u vetëshpall kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Reagimi i plotë;
Kronika lufte dhe dilemash mes të shkurtrit dhe të gjatit !
I paudhë, derdimen, pinxho, haramëz, xhuxh, dëgjoheshin të shara në drejtim të Braçes, që kur vendosi t’i prishë gjakun Babos dhe të vetëshpallet kandidat për Bashkinë e Tiranës, pa ymrin e tij!
Thonë që Kostaqit i ishte prishur terezia, por e mbajti veten, nuk bëri ndonjë të pabërë, si e ka zakon!
Kiduina e shihte si armik!
Eh ç’na gjeti, kemi vite e vite që themi, i gjati ashtu e kështu, tani të hymë në epokën e antonimeve e të shkurtërit, të themi i shkurtri tha, i shkurtri bëri, i shkurtri shkoi, erdhi… atë kemi mangut!?!
Po nuk ishte më mirë Ogi me syrin filxhan, as e gjatë, as e shkurtër, as aguridhe, as e motnuar, por tamam që ka dhe izanë e Babos, pyeste Buçkua ende i parrahur me vaj e uthull?!
Kjo është dilema hamletiane sot!!!
Lamellari, ndonëse gojëtharë nga interpelancat e shumta, nuk e humbi toruan, edhe pse nuk kuptohej se çfarë thoshte, qëndroi në këmbë si një zdap i përulur, që gjatësia nuk i hyn në punë! Kemi Babon të gjatë, mendon i ngrati, ç’duhen të tjerët? Herë pas here na shiste mend – heeee, doni të dini se çfarë thashë e çfarë kam në mendje, po hiç nuk jua tregoj, kaq ta bëni dhëmbin?!
Klevis Balliu përpiqej t’ia nxirrte me çengel, po ai për qamet, asnjë fjalë, mbante sekrete!
Ministrja e re e punëve me Parlamentin, zonja Qefsere, rrinte e ngurosur, e zymtë dhe e padepërtueshme, me një pamje plot nostalgji për kohën kur punonte si kameriere dhe damarët i vlonin!
Pas qortimeve, Ervin Hoxha kishte zënë mend, rrinte paq si sheleg dhe shikonte me admirim folësit e mbante shënim!
Tao e këshillonte: bëj diferencën me Mamicën dhe Damon në sjellje të përunjur, do të monitoroj unë dhe do raportoj progresin!!!
Ai, dukshëm i emocionuar, vetëm u përlot nga kjo mirësi, pa patur kurajo të shprehej me fjalë! Në thelb nuk je njeri i keq, i mërmëriti Tao, duke i rrahur shpatullat! Klosi, edhe ai tereziprishur, iku shpejt, sot i hahej më herët! Ç’të hamë e pimë është e jona, tha, të tjerat i merr nemcja!

Zeniqeja kishte mbledhur rreth vetes disa intelektualë të grupit dhe propozonte sesi Mamica duhej të digjej në turrën e druve, si shtrigat në Mesjetë, dhe hiri i saj të ruhej në një kavanoz, që ta shihte mileti se si dënohet kryengritja!
M’u ngjeth mishi, kur mendoja Mamicushen duke u përpëlitur mes flakëve, me qerpikët që binin një nga një si dëshmorë të një epopeje epike dhe Bela që ngrohej nga ai prush!
Shyqyr që nuk e dëgjoi Nallbati këtë gjë, se hatanë askush s’e ndalte!
Apo nuk ishin mbledhur te “bel epoka” me Ditmarin dhe Damon e sot shpërndante nektar nëpër tavolina! E uruara, në 7 ditë tha më shumë se Ditmari në 7 vjet! Po na plak Babon, moj virane, me ato vickla, të gjeti kërthi, të rriti e të mëkoi e ti i plas shpirtin dhe i shton thinjat, që temthat të dalshin, rënkonte Shalsi!
Delina sot, gjatë interpelancës, ra në sy për kostumin e ri prej kamoshi, i zi korb, i thyer me rozë! E vetmja që mban namuzin e qeverisë, se nuk dallohen me ç’dreqin janë!
Toni dukej qejfprishur, edhe Koçia s’e ka pritur mirë deklaratën e Babos, qëkur ai e lëvdoi Etildën me kurorë në mes të mexhlisit socialist dhe ajo e uruara ulte kokën si suorë në shenjë modestie dhe mirënjohjeje!
Nuk është çudi që e ka bërë një mendim ai, se avash-avash gatuhen këto punë!
Nufi zihej me një gardist që nuk e linte të hynte brenda! Oficeri e pyeste: kush je ti? Ai: jam ministër, nuk të rrej! Jam shoku i Ruttes! Ushtaraku qeshte: he qerrata, qerrata, kë do gënjesh ti, dhe i zinte rrugën derisa u bë dorëzanë Borushja! Ajo vërtet ka thënë që në partinë tonë ka shumë burra pika-pika, po kjo nuk do të thotë se janë aq të panjohur që të trajtohen si hiçmosgjë!
Ministri i jashtëm, Festimi, kafshonte gjuhën, ulej e ngrihej, kishte stres, shikonte Gaz Bardhin si një mallkim, se mos i hakërrehej! Derisa të regjet lëkura, të vështirë do e kesh, i tha Sypetrit Malaj!
Jorushi i Tabakëve bam e bum sot në llogore, flakë e asnjëherë tym, me mantelin e monumentit Nënë Shqipëri mbi supe vazhdonte betejën!
Niko na pat premtuar ca arra Korçe, po jo vetëm s’i kishte sjellë, po edhe vetë dukej si i ligshtuar, si i hequr, i prerë, s’di kujt t’ia prishë, s’di kujt t’ia ndreqë, paçka se i Kostaqi, që i rri gjithnjë pranë, i thotë gjithnjë: ndiq idetë, vizionin dhe humoret e Babos, se të tjerat janë gjepura në këtë bina, të thënat e Babos janë Kuran e Bibël, program e statut, Kushtetutë përmbi Kushtetutën! Parandjenja e Nikos nuk qe e gabuar!
Kryezevendës lideri Flamur, si Oso Kuka motit, i mori përpara: qafire, edepseze, zulleper, ju pjek në hell, u hakërrehej! Antoneta Dhima mori në mbrojtje Taon, i cili hiqte të futej nën tavolinë, Niko denesi, Evisit iu këput shpirti! Elda Hoti nuk zhgënjeu, mori përpara një taborr! Ishte një ditë detajesh, lufte dhe madhështie epizmi i Jozefines i dha kuptim!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: