Gjashtë fëmijë ukrainas do të kthehen nga Rusia te familjet e tyre në Ukrainë, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë , duke përmendur përpjekjet e Zonjës së Parë Melania Trump për të përshpejtuar kthimin e tyre.
Një fëmijë i shtatë nga Ukraina do t’i kthehet gjithashtu familjes së tij më vonë këtë muaj, tha zyra e Zonjës së Parë në një deklaratë.
Ukraina thotë se gati 20,000 fëmijë janë transferuar ilegalisht në Rusi dhe Bjellorusi, ku ndonjëherë i nënshtrohen stërvitjes ushtarake dhe detyrohen të luftojnë kundër trupave të vendit të tyre.
Melania Trump i shkroi Presidentit rus Vladimir Putin në gusht në lidhje me gjendjen e vështirë të fëmijëve nga Ukraina që janë ndarë nga familjet e tyre nga lufta. Shtëpia e Bardhë tha se është hera e katërt që Zonja e Parë e SHBA-së ka kërkuar një kthim të tillë.
“Ribashkimi i fëmijëve me të dashurit e tyre në këtë rajon të botës mbetet një nga çështjet më urgjente globale sot. Jam e inkurajuar që të dyja palët mbeten të përkushtuara për të vazhduar të punojnë së bashku për të rritur sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në këtë luftë të tmerrshme”, thuhej në deklaratë.
Një hetim i OKB-së i publikuar muajin e kaluar zbuloi se deportimi dhe transferimi i fëmijëve nga Ukraina nga Rusia pas pushtimit në shkallë të plotë të Moskës në vitin 2022 përbënte krime kundër njerëzimit. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për Presidentin Vladimir Putin dhe pesë rusë të tjerë për deportimin e paligjshëm të fëmijëve.
Moska mohon se ka marrë fëmijë kundër vullnetit të tyre, duke thënë se po i largon vullnetarisht njerëzit nga një zonë lufte.
