Një skenë mbresëlënëse u krijua në Belfast, ku u rikrijua në mënyrë simbolike udhëtimi i fundit i Titanic, në kuadër të lançimit të dokumentarit të ri të BBC, “Made Of Here”.
Organizatorët përdorën 950 dronë që “lundruan” mbi Port of Belfast, duke përfaqësuar nisjen e anijes legjendare në vitin 1912. Shfaqja spektakolare ajrore u transmetua të enjten në mbrëmje në orën 20:00, pikërisht në të njëjtën datë dhe orë kur Titaniku u nis nga Belfasti për udhëtimin e tij tragjik.
Ngjarja u zhvillua si pjesë e fushatës “Made Of Here”, ndërsa dokumentari “Titanic Sinks Tonight”, i transmetuar fillimisht në dhjetor 2025, është kthyer në një nga prodhimet historike më të suksesshme të BBC-së për sezonin 2025/26, duke tërhequr mbi dy milionë shikues në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, me një pjesë të madhe që e kanë ndjekur përmes platformës BBC iPlayer.
Dokumentari dramatik sjell një rrëfim të detajuar të katastrofës së Titanikut, minutë pas minute, i bazuar në letra, intervista dhe dëshmi autentike nga persona të lidhur me anijen.
Fushata “Made Of Here” synon të vërë në pah qytetet dhe komunitetet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që kanë frymëzuar programet më të njohura të BBC-së. Sipas transmetuesit publik, në qendër të saj qëndron rrëfimi i fuqishëm lokal, që lidh publikun me histori të jashtëzakonshme – nga dramat historike te komeditë dhe ngjarjet e paharrueshme.
