Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me Kryeipeshkvin e Tiranë-Durrësit, Arjan Dodaj, në prag të kremtimit të Pashkës për komunitetin katolik në vend.

Gjatë takimit, ambasadori Gonzato vlerësoi rolin e Kishës Katolike në promovimin e vlerave evropiane dhe në forcimin e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri.

“Ishte kënaqësi të takohesha me Kryeipeshkvin Arjan Dodaj në prag të kremtimit të Pashkës për komunitetin katolik në Shqipëri. Gjatë bisedës sonë, vlerësova rolin e Kishës Katolike në Shqipëri në promovimin e vlerave evropiane, veçanërisht te të rinjtë, si edhe në ruajtjen e harmonisë ndërfetare dhe të bashkëjetesës paqësore mes besimeve”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu angazhimin e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë lirinë e besimit.

“BE-ja vijon të mbështesë dhe të mbrojë lirinë e fesë apo të besimit për çdo individ, në përputhje me vlerat demokratike dhe respektin për dinjitetin njerëzor”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb