Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike dhe rolin e lidershipit aktual, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” në News24. Duke u ndalur te drejtimi i Partia Demokratike e Shqipërisë, Oketa u shpreh se pritshmëritë që Sali Berisha të drejtojë ndryshe nga e kaluara janë të gabuara.

Sipas tij, lideri historik i PD-së e ka të vështirë të ndryshojë stilin politik, edhe për shkak të moshës.

“Duket se ai nuk synon më pushtetin, por pozicionin e kryetarit të PD në opozitë,” tha Oketa. Ai rikujtoi se kishte qenë kritik si ndaj përjashtimit të Berishës nga Lulzim Basha, ashtu edhe ndaj rikthimit të tij në krye të partisë. Oketa shtoi se kishte mbështetur largimin e Bashës pas humbjeve në zgjedhje, por jo rikthimin e Berishës. Sipas tij, edhe pse Berisha mbetet figura kryesore në PD, ai nuk ka mjaftueshëm mbështetje për ta sjellë partinë në pushtet. “Angazhimi politik duhet parë si një stafetë brezash dhe duhet t’i jepet mundësi një brezi të ri,” theksoi ai.

Oketa u shpreh kritik edhe ndaj mënyrës së funksionimit të partive politike në vend, duke përmendur jo vetëm Berishën, por edhe Edi Rama dhe Ilir Meta, për të cilët tha se përdorin mekanizma të mbyllur drejtimi. Ai komentoi gjithashtu zhvillimet e fundit në PD, duke i cilësuar disa vendime si “shkarkime absurde” dhe duke ngritur pikëpyetje për mungesën e qëndrimeve nga drejtuesit politikë në degë të rëndësishme, si ajo e Durrësit.

Duke folur për lëvizjen e Ervin Salianji, Oketa u shpreh se nuk sheh asgjë negative në të, duke theksuar se ai është pjesë e PD-së dhe se krijimi i fraksioneve ishte parashikuar edhe në Kuvendin e partisë. Në fund, ai theksoi se aktualisht është i fokusuar në profesionin e tij si inxhinier, duke lënë në plan të dytë angazhimin aktiv politik.

“Të presësh që zoti Berisha të drejtojë sot PD, ndryshe nga çka drejtuar më parë, gjykoj se gabimi i parë është te ti dhe jo te PD. Zoti Berisha është ai që është. Është e vështirë, pasi ai po shkon drejt 80-ve. Gjykoj se e ka të vështirë që të ketë një stil tjetër. Ajo që e dallon sot, duket se ai nuk synon më pushtetin, por pozicionin e kryetarit të PD në opozitë. Unë kam shprehur rezervat e mia në momentin kur filloi lëvizja kur zoti Basha e përjashtoi. Unë isha pro largimit të zotit Basha pas dy zgjedhjeve të humbura. Siç isha pro largimit të zotit Basha dhe kundër rikthimit të Berishës. Berisha është aksioneri kryesor i PD, por s’ka aq aksione sa ta sjellë në pushtet. Angazhimin politik e shoh si stafetë brezash. Më pas vjen momenti kur t’i japësh mundësi një brezi të ri. Zoti Basha ishte ai që u zgjodh, që ishte kukull e zotit Berisha.

Është e padiskutueshme që zoti Berisha sa herë të garojë, besoj se zgjidhet kryetari i PD. Ajo që mund të bëjë diferencën, (Me Salianjin kandidat, do të kishte disa vota më shumë). Kjo gjë do të ndodhte dhe me Ramën. Duhet të përgatitet një brez politikan dhe jo servil. Se si funksionon mekanizmi i Berishës, i Ramës dhe i Metës, se di, se funksionojnë me mekanizëm tjetër. Shoh këto ditët e fundit disa shkarkime absurde. Shoh sjelljen jo vetëm të zotit Berisha por dhe atyre që janë afër. A kanë marrë ndonjë qëndrim politik drejtuesit politik të Durrësit? Jo!”, tha ai. Oketa u ndal dhe te lëvizja e Ervin Salianjit. “I jam përkushtuar angazhimeve të mija profesionale. E dua profesionin e inxhinierit e bëj me shumë dëshirë. Nuk shoh asgjë të keqe të lëvizja e Salianjit. Edhe Salianji i PD është. Ata që e akuzojnë, janë ata që e kanë emrin te listat e sigurta për deputet të PD. Në Kuvendin e PD u deklarua se do të pranoheshin fraksionet. Çfarë të keqe kishte ky fraksioni i Salianjit?! Ata kanë pranuar në koalicion një parti që ka lëvizur sa nga e majta, sa nga e djathta. (PL-ja, dikur LSI-ja). Nuk di se çfarë kalkulimesh ka në mendje zoti Salianji, por duke garuar dhe duke mos e nxjerrë zotin Berisha me 100% të votave, por 75%, ai tregon se ka një peshë në PD dhe nuk është faktor për t’u zeruar. Ai ndoshta hyn në këtë garë me mendimin se do që të fitojë. Këtë gjë mendoj unë, është thjesht një analizë e imja.”, pohoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: