Besimtarët katolikë në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë sot Festën e Pashkës, ngjarjen më të rëndësishme në kalendarin e krishterë, që simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit dhe triumfin e jetës mbi vdekjen.
Pashka simbolizon fitoren e jetës mbi vdekjen, tri ditë pas vdekjes së Jezusit në kryq.
Pashka katolike shënohet pas një periudhe 40-ditore agjërimi dhe përgatitjeje shpirtërore, e njohur si periudha e Kreshmës.
Java e Shenjtë që paraprin ditën e Pashkës, përfshin disa nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik. Ajo nis me të Dielën e Palmave, që përkujton hyrjen e Jezu Krishtit në Jerusalem dhe vazhdon me të Enjten e Madhe, kur përkujtohet Darka e Fundit, si dhe të Premten e Madhe, dita e kryqëzimit dhe sakrificës së Krishtit.
Festa kulmon me meshën e mesnatës. Nata e Pashkës së Jezu Krishtit është “Nëna e të gjitha netëve të lutjes” në të cilën drita vezulluese e Krishtit të ngjallur fiton mbi fuqinë e errësirës, të së keqes, të vdekjes, duke ndezur në zemrat e besimtarëve shpresën e gëzimin.
Kremtimi i Pashkës vazhdon me drekat në familje ku nuk mungojnë vezët e lyera dhe gatimet tradicionale si dhe vizita te të afërmit.
Pashka shënon jo vetëm një festë të rëndësishme fetare, por edhe një moment i thellë reflektimi. Kjo periudhë fton besimtarët të ndalen dhe të mendojnë për vlerat themelore të jetës: faljen, dashurinë, sakrificën dhe shpresën.
Mesazhi i ngjalljes së Jezu Krishtit simbolizon mundësinë për një fillim të ri edhe pas vështirësive më të mëdha.
Pashka nuk është vetëm një traditë fetare, por një thirrje universale për rinovim shpirtëror dhe për një qasje më njerëzore ndaj jetës.
Data e Pashkës llogaritet në bazë të kalendarit hënor duke ndryshuar përgjatë viteve.
Një simbol i festës janë vezët e lyera me të kuqe, një nga zakonet më të përhapura që simbolizon gjakun e Krishtit dhe jetën e re.
Tryeza e Pashkës është një tjetër element i rëndësishëm i festës. Ajo përgatitet me kujdes dhe përfshin ushqime tradicionale, si mishi i qengjit, bukë të veçanta festive dhe ëmbëlsira të përgatitura në shtëpi.
Një ndër traditat e Pashkës është bekimi i bukës apo ushqimeve në vigjilje të kësaj feste në të gjitha kishat./ATSH
