Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në jug të Libanit, sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë.
Një nga sulmet më të rënda ndodhi në komunitetin Maraka, pranë qytetit bregdetar Tir, ku humbën jetën pesë persona dhe një tjetër mbeti i plagosur. Ndërkohë, më herët u raportua se dy vajza u vranë dhe 22 persona u plagosën në një tjetër sulm në Hamboush, afër qytetit të Nabatieh.
Nga ana tjetër, Forcat e Armatosura Izraelite konfirmuan se një ushtar 21-vjeçar është vrarë gjatë luftimeve tokësore në jug të Libanit, ku vijojnë operacionet kundër Hezbollah.
Gjatë ditës, qyteti i Tirit dhe zonat përreth u bombarduan disa herë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, përfshirë një nga spitalet kryesore të qytetit. Sipas Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA), ushtria izraelite goditi disa ndërtesa pasi kishte urdhëruar më parë evakuimin e tyre. Një ndërtesë pesëkatëshe u dëmtua rëndë, ndërsa një tjetër me 11 kate u shemb plotësisht.
Pavarësisht rrezikut, rreth 20 mijë persona – përfshirë afro 15 mijë të zhvendosur – vijojnë të qëndrojnë në Tir, duke sfiduar thirrjet e përsëritura për evakuim.
Konflikti në rajon është përshkallëzuar që prej 2 marsit, kur Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit, në përgjigje të sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iran.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani 1,422 persona janë vrarë në Liban, përfshirë 126 fëmijë, ndërsa mbi 1 milion njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Nga ana tjetër, Izraeli ka humbur 11 ushtarë në përleshjet në terren.
