Shënime për poemën “Murrosh Pushi Dembelushi” (krijim i ri mbi një motiv të vjetër), autore: Adelina R. Mamaqi, redaktore: Ilirjana Jaku, ilustrimet: Blegina Hasko Bezo, Botimet “Univers, Tiranë, nëntor 2025

Nga Xhahid Bushati

Autorja e ka quajtur poemën, si një krijim i ri mbi një motiv të vjetër. Motivi i fëmijës dembel dhe i kafshës dembele që nuk vepron, që nuk del nga shtëpia… etj., është i njohur dhe i trajtuar gjerësisht në folklor dhe në letërsinë shqipe për fëmijë. Kujtojmë, si për shembull: figura e djalit dembel, macja e përgjumur, ariu përtac, gjinkalla dembele… etj., etj. Çfarë është e përbashkët mes krijimit të ri dhe motivit të vjetër? Autorja ka ruajtur në kohë: – dembelizmin si ves., – kritikën ‘dashamirëse’ ndaj këtij vesi., – ngjyrën dhe detajin humoristik., – porositë dhe mesazhet edukative. Këto mesazhe, zakonisht, i besohen personazheve (personazhit), ku autorja i këshillon se, është koha për t’u zgjuar, është koha për të vepruar, është koha për të kapur kohën…

Çfarë është e veçanta mes krijimit të ri e motivit të vjetër? Autorja me artin e saj poetik nuk e qorton ashpër Murroshin, por ka vendosur ta vërë atë në një mjedis loje, peizazhi… etj, ku zhvillon motivin përmes cikleve, pra, jo në një histori të vetme. Me finesë përdor edhe një humor gjuhësor përmes enumeracionit, të foljeve, shpesh, pësore që paraqesin gjendjen e personazhit (personazheve). Rrëfimi dhe strofat kanë ritëm e tingëllimë, por jo moralizim. Jo vetëm kaq, por në strofat paraqitet një botë e mbushur me kafshë e me përralla që dikur kanë jetuar e kanë folur…, tani, përsëri jetojnë e flasin…, por me një veshje të re artistike e kohore, etj.

Kështu, dembelizmi trajtohet si fazë fëmijërie, e, jo si faj. Mendoj, që kjo është një nga risitë, mbase kryesorja në këtë poemë. Këtë mendim po e konkretizoj me disa këndvështrime të poemë në fjalë:

– “Kush bën nina-nana?” (e ndërtuar dhe e shprehur si një përceptim prej nëne nga ana e autores. Njëkohësisht, poetikisht e plot magji përralle vizaton peizazhin e një dite dimri, ku Plaku dimër mbulon pyllin me vello të bukur). Për rrjedhojë gjumi i vogëlushëve (i Xhois-it dhe i Ennit), gjumi i qukapikëve, bufit, arushëve… etj.) paraqitet si nevojë fëmijërore.

– “Përralla shkon te Magjistarja”. (Në katër strofat dhe të një distiku, vërejmë se, ajo, duke ruajtur magjinë e saj, personifikohet, ndërsa fantazia i “shëtit” si mjet shërimi dhe imagjinata ndihmon rritjen e personazheve – të tre vëllezërve -).

– “Janë tre vëllezër”. (Kjo pjesë ka një strukturë folklorike (numri tre). Kujtojmë nga kjo pjesë: Push-pushi-in, lepurushët, Buçkon; Bardhoshin, Zijoshin dhe Murroshin. Brenda kësaj strukture kemi krahasimin e sjelljen e personazheve. Dhe, siç rrëfen autorja: “U zunë. U pajtuan. / si gjithë kalamajtë. / U puthën dhe shkuan, / me vrap, te mamatë!..”

Personazhi kryesor i poemës është Murroshi, i cili ka një tipar: rri brenda. Po pse?! – Mbase për t’u mbrojtur, mbase për t’u përkëdhelur, mbase… Bota e jashtme i duket e madhe e lodhshme (nuk del në verë se bën zagushi, nuk del në dimër se është ftohtë, nuk del në vjeshtë se bie shi… Po kur vjen pranvera shëtit ndonjëherë e ha luleshtrydhe…). Me këto tipare të Murroshit, autorja na thotë se, ‘Dembelizmi i Murroshit nuk është përtaci morale, por është një frikë e lehtë fëminore dhe rehati emocionale’.

Analizë: e pjesës “Ç’po u thotë Pisha zborakëve?”
Këtu, në një mëngjes janari natyra flet, Pisha si figurë urtësie flet… Përmes një dialogu zborakësh kemi një mesazh solidariteti.

Analizë: e pjesës “Nënë Lepurusha ushqen zogjtë”.
Nënë Lepurusha u hedh zogjve thërrime buke. Situata e krijuar i kapërcen kufijtë biologjikë. Merr jetë një dashuri universale. Kujdesi nuk ka kufij. Citoj: “Në majë të gishtave, pak zgjaten, / të shohin ç’ndodh përtokë: / Njëqind zborakë i sorollaten, / nënokes, përmbi kokë!” Vëllezërit, tashmë, e kanë zgjuar Murroshin. Me të drejtë poetesha shtron pyetjen: – Murrosh Pushi, Dembelushi është dembel apo fëmijë lozonjar? I vjen në ndihmë Historia e një loje… “Me jastëkë bam e bum!” Tani Murroshi nuk rri kot, por luan. Në këtë moment loja zëvendëson punën dhe njëkohësisht tregon se energjia ekziston, por shprehet ndryshe. Murroshi është dembel sipas botës së të rriturve, por është aktiv në botë e lojës.

Në pjesët e tjera të poemës, dallojmë disa funksione, të cilët lënë shenjat e tyre. Në pjesën “Gjyshi Plaku Lepuraku” (na shfaqet urtësia e tradita); Në pjesën “Qan Bardhoshi… Qan Zijoshi” (na shfaqet empatia ndaj emocioneve dhe një marrëdhënie ku shprehet dashuria e gjyshit ndaj Murroshit e të tjerëve plot humor); Në pjesën “Bën karroca shtrik e shtrak” (na shfaqet me vazhdimësinë e elementeve përrallorë, edhe etyde, si: Murroshi barkboshi tërheq këmbët osh e osh, kur Murroshi ngrihet se është rrëzuar dhe s’do ta quajnë “Çun mamaje!.. Qullavec!”). Ndërsa në pjesën “Ketrush Parashuta” (na shfaqen guximi, loja, përpjekja, kurajoja… etj). Që të gjitha këto pjesë kanë disa dukuri të përbashkëta, si: loja, situata fëminore-përrallore, magjia, komunikimi i ëmbël,… etj., të cilat ndërtojnë së bashku një botë ku emocionet lejohen dhe shpërthejnë pafund…

Murroshi ka dhe plot histori në poemën që mban emrin e tij. Po ç’na thonë pjesët, si: “Teta Murrë”?, “Ç’na llastohet ky Murroshi?”, “Lakrat e mbretit”?, “Gërr e gërr! – ia bën stomaku”?, “Përralla, Nipçja, gjyshi plak”?, “Ja, gëmusha! Lepurusha!”?, “Ç’u bë përralla, kush e pa?”, “Përralla hyn në pyll”? – Nga njëra pjesë tek tjetra, shohim kalimin nga pasiviteti te kurioziteti i Murroshit. Ai fillon të ndjekë Përrallën… Sikur… imagjinata e nxjerr jashtë vetes. Dhe së fundi të gjitha ndikojnë që ai të mos mbetet dembel, por të rritet natyrshëm në një mjedis ku jetojnë kafshët në pyjet plot jetë, në shtëpizën plot lodra, në gjirin e natyrës ku flet, qan dhe këndon. E gjitha kjo falë ngrohtësisë së vargjeve që na dhuron autorja në një mjedis të animizuar dhe me ngjyra përralle, të një përralle që ngjan si pikturë e këndshme dhe mbresëlënëse. Por të mos harrojmë se, në këtë poemë, ‘Përralla’ është qenie që lëviz dhe Loja është mënyrë njohjeje e botës. Këto ndikojnë fuqishëm që Murroshi të çlirohet nga pasiviteti.

Në këtë poemë të këndshme me përceptim fëminor, spikat stili i shkrimtares Adelina R. Mamaqi. Ai mbart një gjuhë të thjeshtë, plot figuracion, plot humor, plot fantazi dhe pa moralizim. Autorja na sjell poemën-cikël, ku vendos fëmijën në qendër e jo mësimin, ku e trajton përrallën si botë psikologjike. Ndaj, Adelina R. Mamaqi është Mjeshtre e njohjes së botës fëminore dhe e krijimit të botës përrallore. Kjo do të thotë: – ajo njeh emocionet, frikërat, lojën e fëmijës; – ajo krijon përralla që nuk janë vetëm fantastike, por të vërteta nga brenda; – fëmija ndihet i kuptuar, dhe jo i gjykuar.

Poema humoristike “Murrosh Pushi Dembelushi” e Adelina R. Mamaqit përfaqëson një ndër arritjet më përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare për fëmijë. Vepra ndërtohet mbi traditën e përrallës dhe të poemës narrative, duke e rinovuar atë përmes një strukture ciklike, të një gjuhe ritmike dhe të një këndvështrimi psikologjik të thellë mbi botën fëmijërore. Mamaqi ndërthur elemente të folklorit, fabulës klasike dhe poetikës moderne, duke krijuar një univers letrar ku edukimi realizohet përmes humorit, empatisë dhe fantazisë.

Në qendër të poemës qëndron motivi i dembelizmit, i njohur gjerësisht në folklorin shqiptar dhe në letërsinë botërore për fëmijë. Figura e personazhit pasiv, që shmang veprimin dhe përgjegjësinë, shërben tradicionalisht si objekt satire dhe qortimi moral. Mamaqi e rimerr këtë motiv duke e zhvendosur nga moralizimi i drejtpërdrejtë drejt një leximi empatik. Murroshi nuk dënohet, por kuptohet si produkt i një bote fëmijërore të mbrojtur dhe të përkëdhelur. Murrosh Pushi është një personazh kompleks, që përfaqëson fëmijën në fazën e tij të hershme të zhvillimit.

Qëndrimi i tij “brenda” nuk është thjesht fizik, por simbolizon: – hapësirën e sigurisë emocionale; – refuzimin e përkohshëm të botës së jashtme; nevojën për lojë, gjumë dhe fantazi.

Pjesë si “Kush bën nina-nana” dhe “Nënë Lepurusha ushqen zogjtë” ndërtojnë një diskurs të fortë të kujdesit prej amësie. Autorja afirmon idenë se rritja nuk realizohet përmes presionit, por përmes dashurisë dhe mirëkuptimit. Ndërsa te “Përralla shkoi te Magjistarja” dhe “Përralla hyn në pyll”, përralla personifikohet, duke u shndërruar në subjekt aktiv. Kjo teknikë i jep veprës një dimension metatekstual: vetë rrëfimi bëhet personazh. Kurse te pjesët: “Janë tre vëllezër”, “Gjyshi plaku lepuraku” dhe “Bën karroca shtrik e shtrak” mbështeten në formulat tradicionale të oralitetit (numri tre, rimëzimi, përsëritja), duke ruajtur lidhjen me trashëgiminë kulturore. Mjedisi ku veprojnë personazhet është i ndërtuar sipas parimeve të antropomorfizmit. Pisha që flet, lepuri që kujdeset për zogjtë, ketrushi që guxon, krijojnë një ekosistem moral, ku natyra është bashkëedukatore e fëmijës. Loja është elementi themelor i strukturës semantike të poemës. Ky proces përfaqëson një model modern të edukimit letrar për fëmijë.

Letërsia për fëmijë, – sipas Bruno Bettelheim-it, – nuk ka për funksion vetëm argëtimin, por ndihmën që i jep fëmijës për të kuptuar konfliktet e brendshme dhe procesin e rritjes. Në këtë kuadër, poema “Murrosh Pushi Dembelushi” ndërtohet si një hapësirë simbolike, ku konflikti nuk është i jashtëm (luftë, rrezik, ndëshkim), por psikologjik dhe emocional: hezitimi për të dalë nga zona e sigurisë. Adelina R. Mamaqi e përdor përrallën jo si fabul morale klasike, por si mekanizëm zhvillimi të vetëdijes fëmijërore, duke e afruar veprën me konceptet moderne të kritikës së letërsisë për fëmijë.

Kurse Vladimir Propp, te “Morfologjia e përrallës”, e sheh përrallën si sistem funksionesh. Në poemën e Mamaqit: – Murroshi nuk e përmbush menjëherë funksionin e heroit; – mungon “nisja” klasike e personazhit; – zëvendësohet nga shtyrja e veprimit. Kjo përbën një devijim modern nga skema tradicionale, ku mosveprimi bëhet vetë funksion narrativ. Dembelizmi nuk është mungesë vlere, por fazë përgatitore.

Sipas Bettelheim-it, përrallat funksionojnë sepse legjitimojnë frikërat dhe pasiguritë e fëmijës. Murroshi: – rri brenda → i mbrojtur; – refuzon jashtë → frikë nga pavarësia; loz me jastëkë → kanalizim i energjisë agresive në lojë. Në këtë kuptim, Murroshi nuk është “dembel”, por në proces formimi. Autorja shmang ndëshkimin, duke ofruar një model edukativ.

Në pjesë si “Përralla shkoi te Magjistarja” dhe “Ç’u bë përralla, kush e pa?”, kemi një rast të qartë të metapërrallës: përralla bëhet personazh; – rrëfimi flet për vetveten. Sipas Perry Nodelman-it, kjo teknikë i jep fëmijës vetëdije për procesin e tregimit, duke e bërë atë bashkëkrijues të kuptimit, jo konsumator pasiv.

Poema është ndërtuar si cikël i hapur, ku episodet: – janë të pavarura; – por kontribuojnë në zhvillimin e personazhit. Përsëritja e motiveve (gjumi, loja, kafshët, të qarat) funksionon si: – mekanizëm qetësues; – mënyrë për të ndërtuar siguri emocionale. Kjo lidhet me teorinë e oralitetit dhe me funksionin ritmik të poezisë për fëmijë.

Sipas traditës së fabulës dhe përrallës: – kafshët mbartin vlera njerëzore. Te Mamaqi, në pjesët, si: – “Nëna lepurushë ushqen zogjtë”, “Ç’po u thotë pisha zborakeve” antropomorfizmi shndërrohet në etikë të solidaritetit universal. Nuk kemi hierarki të forta, por ndihmë reciproke, çka e afron veprën me një vizion ekologjik dhe humanist modern.

Studiuesi Perry Nodelman thekson se, loja në letërsinë për fëmijë është formë njohjeje e botës. Në episode si: – “Me jastëkë bam e bum”, “Ketrush Parashuta” loja: – zëvendëson veprimin “serioz”; – përgatit Murroshin për guximin real. Kështu, loja nuk kundërvihet punës, por i paraprin asaj.

Stili i Mamaqit përfaqëson atë që kritika moderne e quan realizëm emocional. Ky realizëm e bën veprën të besueshme për fëmijën dhe të vlefshme për mësuesin dhe edukatorin. Në krahasim me poezinë tradicionale për fëmijë në letërsinë shqipe, kjo poemë: – zgjeron format narrative; – shmang moralizimin frontal; – fut dimensionin psikologjik dhe metatekstual. Mamaqi sjell një model të ri: përrallën si hapësirë dialogu me fëmijën, si dhe konsiston në faktin se ajo: – njeh fazat emocionale të rritjes; – i përkthen ato në gjuhë poetike; – ndërton një univers ku fëmija ndihet i jetueshëm.
“Murrosh Pushi Dembelushi” nuk është thjesht poemë humoristike, por tekst formues, që ndërthur traditën, teorinë dhe ndjeshmërinë moderne të letërsisë për fëmijë.

Krahas cilësisë artistike që është kryesorja, libri artistik i letërsisë për fëmijë ka edhe komponentë të tjerë që e përfaqësojnë që ai të jetë dinjitoz. Libri është i tillë dhe mbart brenda vetes estetikën fëminore. Sh. B. “UNIVERS” i ka kushtuar vëmendje dhe kujdesin e duhur: që nga letra, që nga formati, që nga arti grafik dhe ilustrimet e mrekullueshme, plot magji e fantazi përrallore dhe funksionale (të tekstit poetik) të piktores Blegina Bezo. Një libër që e ëndërron ta ketë çdo krijues!

Shkodër, prill, 2026

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb