Analisti Anri Bala, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te ambicia e deputetit socialist Erion Braçe për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Sipas Balës, Braçe ka qenë gjithmonë një zë kritik brenda Partisë Socialiste dhe mazhorancës, duke ngritur shqetësime që lidhen drejtpërdrejt me qytetarët, çka i ka ndërtuar një profil publik të konsoliduar ndër vite.
Megjithatë, ai theksoi se mbetet e paqartë nëse kandidimi i mundshëm i Braçes është një nismë personale apo pjesë e një strategjie të Partisë Socialiste.
Në analizën e tij, Bala u ndal edhe te situata brenda PS-së, duke përmendur se Ogerta Manastirliu nuk e kishte pritur me entuziazëm përzgjedhjen e saj si kandidate për Tiranën nga Edi Rama një vit më parë, duke lënë të kuptohet se nuk kishte ambicie të fortë për këtë post.
Sa i përket opozitës, Bala u shpreh se deri më tani në skenë shfaqen dy emra potencialë, ende të pazyrtarizuar: Erion Braçe nga Partia Socialiste dhe Ilir Alimehmeti nga Partia Demokratike.
Ai shtoi se kandidimi i Braçes duket më shumë si një dëshirë personale, ndërsa theksoi se kryeministri Rama bazohet në sondazhe për të përcaktuar kandidatët dhe strategjinë elektorale në çdo zonë.
Në fund, Bala vlerësoi se Partia Demokratike mbetet ende e dobët në raport me mazhorancën, duke përmendur një raport të theksuar mbështetjeje në favor të kandidatëve të PS-së në kryeqytet.
