Administrata publike duhet të ndryshojë sjellje në raport me sipërmarrjen private, dhe të mos ushtrojë presion për ryshfet dhe korrupsion. Kështu deklaroi këtë të martë kryeministri Edi Rama, që edhe pse e ka kërkuar disa herë këtë për administratën tatimore, duket se situata nuk ka ndryshuar. Ndaj edhe këtë të martë, kryeministri ripërsëriti kërkesën drejtuar punonjësve të saj, me qëllim që, siç u shpreh, të garantohet klima pozitive të biznesit.
“Duhet administratë ndryshe nga ajo e disa viteve më parë, që kompanitë të mos ndihen nga presioni vazhdueshëm për kërkesën për rryshfet…”, tha Rama.
Edi Rama: Duhet një administratë e fortë, një administratë që ka aftësi nga njëra anë dhe integritet nga ana tjetër për të pasur rritjen e vazhdueshme që kemi, qoftë nga të ardhurat në dogana, qoftë nga të ardhurat në tatime.
Duhet një administratë absolutisht ndryshe nga ajo që kemi pasur deri disa vite më parë, që klima e biznesit të jetë pozitive, që kompanitë të performojnë pa u ndjerë nën presionin e vazhdueshëm të kërkesës për ryshfet apo të korrupsionit, siç ka ndodhur deri jo shumë vite më parë dhe patjetër që duhet një administratë që është e mirë pozicionuar në raport me qëllimet e shpallura të qeverisë për t’ia dalë që në fund të ditës rritja ekonomike të përkthehet në rritje pagash, në rritje pensionesh dhe në më shumë të drejta.
