Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në cilësinë e anëtares së Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale të ngritur nga Kuvendi i Shqipërisë, mbajti një qëndrim kritik gjatë seancës së parë dëgjimore, ku u thirr për raportim ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo.
Tabaku e vendosi debatin përtej problematikave teknike, duke e lidhur drejtpërdrejt me modelin e ndërtuar të qeverisjes vendore, që sipas saj ka prodhuar varësi, mungesë autonomie dhe deformim të prioriteteve.
Duke iu referuar një raporti të Council of Europe, ajo evidentoi tre dobësi strukturore të modelit aktual: detyrime të papërmbushura nga pushteti vendor, financim që nuk përputhet me funksionet dhe mungesë reale autonomie. Sipas Tabakut, këto nuk janë probleme të izoluara, por pasoja direkte të një sistemi të centralizuar që nuk i jep bashkive hapësirë reale vendimmarrjeje.
Në analizën e saj financiare, deputetja theksoi kontrastin e fortë mes rritjes së fondeve dhe rezultateve në terren. Fondet për pushtetin vendor janë dyfishuar – nga rreth 32 miliardë lekë në 64 miliardë lekë – por 45% e të ardhurave vijojnë të vijnë nga qeveria qendrore, ndërsa vetëm 10 bashki arrijnë nivel minimal vetëfinancimi.
“Ky është tregues i një modeli që prodhon varësi dhe jo zhvillim. Nuk kemi të bëjmë me mungesë fondesh, por me mënyrën se si është ndërtuar sistemi,” u shpreh Tabaku.
Ajo ndaloi veçanërisht tek struktura e shpenzimeve, duke e cilësuar si provë të dështimit të modelit aktual. Ndërsa reforma e vitit 2015 synonte uljen e kostove administrative, sot shpenzimet e personelit janë rritur me 142%, ndërsa investimet kapitale vetëm me 4%.
Sipas saj, kjo përmbysje e prioriteteve reflektohet edhe në treguesit afatgjatë: nga 82% e fondeve që në vitin 2010 shkonin për investime, sot kjo peshë ka rënë në vetëm 37%.
Tabaku theksoi se ky realitet nuk është rastësi, por rezultat i një modeli që favorizon kontrollin qendror mbi zhvillimin vendor, duke dobësuar rolin e bashkive dhe duke kufizuar ndikimin e tyre në ekonominë lokale.
