Grupi militant Hezbollah ka ndaluar sulmet ndaj veriut të Izraelit dhe trupave izraelite në Liban në orët e para të së mërkurës, si pjesë e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, raportoi Reuters duke cituar burime pranë grupit.

Megjithatë, situata në terren mbetet e tensionuar. Izraeli ka vazhduar sulmet në Libanin jugor dhe ka lëshuar një urdhër të ri evakuimi për qytetin e Tire, duke sinjalizuar një ofensivë të mundshme në zonë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se armëpushimi dyjavor i arritur mes SHBA-së dhe Iranit nuk përfshin territorin libanez, duke lënë të kuptohet se operacionet ushtarake në Liban do të vijojnë.

Sipas burimeve të cituara, Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, pritet të publikojë një deklaratë zyrtare për të sqaruar qëndrimin e tij ndaj armëpushimit, si dhe ndaj pretendimit të Netanyahut se Libani mbetet jashtë kësaj marrëveshjeje. Zhvillimet e fundit tregojnë për një situatë të brishtë në rajon, ku pavarësisht marrëveshjeve diplomatike, rreziku i përshkallëzimit mbetet i lartë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: