Skandali i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që publikoi me video aksionin ndaj një subjekti për pijet alkoolike në Korçë, nuk është thjesht një demonstrim force. Është një sinjal i fortë alarmi për mënyrën se si po trajtohet sipërmarrja në Shqipëri.
Fakti që ky aksion vjen menjëherë pas publikimeve në shtyp për sjelljen e tatimorëve që sipas vetë kryeministrit i vënë “duart në fyt biznesit”, e bën edhe më të fortë dyshimin se motivet e mësymjes së tatimorëve shkojnë përtej zbatimit të ligjit.
Sulme të tilla nuk japin mesazhin e një shteti që mbështet sipërmarrjen e ndershme, por të një administrate që synon të krijojë perceptime në opinion publik, përfshirë edhe ambasadat dhe institucionet ndërkombëtare, sikur biznesi në fjalë nuk përmbush detyrimet apo nuk paguan pagat në mënyrë të rregullt.
Në fakt, ky subjekt kryen çdo pagesë për punonjësit përmes sistemit bankar, me transparencë të plotë dhe pa asnjë formë pagese informale, një praktikë lehtësisht e verifikueshme përmes dokumentacionit financiar dhe çdo auditimi të pavarur.
Pikërisht për këtë arsye, mbetet e pakuptueshme, e habitshme dhe njëkohësisht shqetësuese që në treg vazhdojnë të tolerohen apo të ekzistojnë ende biznese që operojnë me pagesa “nën dorë”, duke deformuar konkurrencën dhe duke e bërë edhe më të padrejtë goditjen ndaj atyre që respektojnë rregullat.
Në mungesë të një prove të vetme që vërteton të kundërtën, qoftë dokument apo filmim, çdo përpjekje për të shtrembëruar këtë realitet nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse një sajesë e rëndë dhe e pajustifikuar.
Është shqetësuese që një institucion shtetëror, që duhet të garantojë drejtësi dhe barazi në trajtimin e bizneseve, arrin deri aty sa të verë në shënjestër një subjekt model për korrektesë dhe transparencë, me pretendime që bien ndesh me realitetin e tij financiar.
Kjo sjellje nuk i shërben as klimës së biznesit dhe as besimit te institucionet. Përkundrazi, krijon pasiguri dhe frikë, duke dëmtuar jo vetëm një sipërmarrje të veçantë, por gjithë tregun.
Kur faktet mungojnë dhe vendin e tyre e zënë inskenimet, nuk kemi më të bëjmë me keqmenaxhim, por me abuzim të pastër me pushtetin, një praktikë që minon shtetin e së drejtës dhe duhet të alarmojë seriozisht çdo qytetar dhe çdo biznes.
