Një aksident tragjik është shënuar në Itali, ku një 62-vjeçare shqiptare ka humbur jetën. Viktima është identifikuar si Merita Qemali.

Ngjarja ndodhi në mesnatën e së martës në Autostradën A14. Qemali po udhëtonte me një Ford station wagon drejt Chiaravalle, së bashku me partnerin e saj 49-vjeçar, djalin 10-vjeçar të këtij të fundit dhe motrën e saj 47-vjeçare. Ata po ktheheshin nga pushimet e Pashkëve në Siçili.

Automjeti i tyre u përplas me një kamion në tunelin Montedomini, mes Ancona Sud dhe Ancona Nord, pak para daljeve për Castelferretti dhe Chiaravalle. Familja ishte vetëm pak minuta larg shtëpisë kur ndodhi aksidenti.

Sipas raportimeve, kamioni, i drejtuar nga një grua rumune, lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të një gome të shfryrë. Përplasja rezultoi tepër e fortë, duke shkatërruar plotësisht pjesën e përparme të mjetit.

Dy nga pasagjerët mbetën të bllokuar në automjet dhe u nxorën nga forcat zjarrfikëse. Shoferi 49-vjeçar iu nënshtrua një operacioni në spitalin e Torrette dhe ndodhet në gjendje kritike. Po ashtu, edhe motra e viktimës është operuar dhe mbetet në gjendje të rëndë.

Ndërkohë, fëmija 10-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet po hetojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse kamioni kishte dritat e ndezura apo nëse mund të ishte ndalur në mënyrë të sigurt përpara hyrjes në tunel.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb