Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka marrë vendimin për Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike Flamur Noka, i kallëzuar penalisht për shpifje nga efektivi i Burgut të Peqinit, Gjergji Vishkulli, tetorin e vitit të kaluar.
Pasi trupa gjykuese dëgjoi palët dhe shqyrtoi materialet hetimore, vendosi sot që të shpallte të pafajshëm deputetin e opozitës.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Rudina Palloj, e cila ka rrëzuar pretendimet e denoncuesit.
Padia u bë nga Vishkulli, të cilin Sekretari i Përgjithshëm i PD-së e akuzonte publikisht në grupin e policëve që sipas tij bënte fushatë më 11 maj për Partinë Socialiste. Burgu i Peqinit, tha Noka në denoncimin e tij, ishte kthyer në shtab fushate elektorale për kandidaten socialiste, Sara Mila.
NJOFTIMi I GJKKO:
1. I dëmtuari akuzues Gjergji Vishkulli me datë 21.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me të akuzuar deputetin, shtetasin Flamur Noka, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike në Republikën e Shqipërisë dhe objekt:
“1. Deklarimin fajtor të të akuzuarit të paditur për veprën penale të shpifjes së kryer botërisht.
2. Detyrimin e të paditurit të akuzuar të përgënjeshtrojë denoncimin publik të publikuar në adresën e facebook-ut të të akuzuarit të paditur Flamur Noka me shpenzimet e tij nëpër të gjitha mediat kombëtare, duke publikuar vendimin gjyqësor lidhur me objektin e kërkimit dhe arsyetimin e kryer nga gjykata”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 59, 379, 384 dhe 388/1 të K.Pr.Penale, si dhe nenin 120 të Kodit Penal, me vendimin nr. 30, datë 08.04.2026 vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Flamur Noka, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpifja” e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, pg.2 i K.Penal, pasi fakti nuk përbën vepër penale.
2. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
