Tensioni midis Ekuadorit dhe Kolumbisë është shtrirë edhe në tregti. Ekuadori ka kërcënuar se do të rrisë tarifat doganore për produktet e importuara nga Bogota nga 50% në 100% muajin e ardhshëm.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro e përshkroi kërcënimin si “monstruoz” dhe tha se në shenjë hakmarrjeje, vendi i tij do të largohej nga Komuniteti Ekonomik i Andeve, i cili përfshin Ekuadorin, Bolivinë dhe Perunë.
“Ky është thjesht një përbindësh” që “sinjalizon fundin e Pakto Andino për Kolumbinë, ne nuk kemi më vend atje”, theksoi presidenti social demokrat nëpërmjet një reagimi në platformën X.
Vendimi për të rritur tarifat nga maji pasoi konstatimin se Bogota nuk po zbatonte “masa të forta dhe efektive të sigurisë kufitare”, tha në një deklaratë Ministria e Prodhimit, Tregtisë Ndërkombëtare dhe Investimeve e Ekuadorit.
Tensionet vazhdojnë të përshkallëzohen midis qeverive të dy shteteve fqinje. Në fund të shkurtit, qeveria e Presidentit ekuadoras Daniel Noboa akuzoi qeverinë e Petros se nuk po lufton siç duhet krimin e organizuar.
