Jo vetëm Neuer, një paraqitje fantastike në “Bernaebu” zhvilloi edhe Michael Olise. Sulmuesi francez po kalon një formë të shkëlqyer këtë sezon me Bayern, ku vetëm në Bundesligë ka realizuar 11 gola dhe ka dhuruar 20 asiste, shifra të jashtëzakonshme për një sulmues krahu. Paraqitjet e Olise me fanellën e Bayern Munich kanë zgjuar interesimin e Real Madrid.
Sipas Bild, gjigandi spanjoll është gati të investojë shifra të çmendura për të siguruar kartonin e Olise. Gjithnjë sipas Bild, Florentino Perez është gati të paguajë 160-165 milionë euro për të transferuar në Madrid sulmuesin francez. Të vetëdijshëm për interesimin e Real Madrid, përgjigja e Bayern nuk ka vonuar.

Bild zbulon se drejtuesit e klubit gjerman as që kanë ndërmend të heqin dorë nga Olise duke mbyllur menjëherë çdo lloj negociate apo tratative në zhvillim, në sytë e tyre ylli francez është i pashitshëm. Olise ka një kontratë të vlefshme me Bayern Munich deri në vitin 2029.
Reali është vënë në kërkim jo vetëm të një sulmuesi krahu, por kërkojnë me çdo kusht edhe një mesfushorë. Sipas BBC, Rodri ka qenë dhe mbetet objektivi kryesor, por në këtë rast, Perez nuk ka ndërmend të bëjë çmenduri financiare për t’i rrëmbyer Man.City mesfushorin spanjoll. Rodri mund të transferohet në Madrid vetëm për një çmim të arsyeshëm.
