Kryeministri Edi Rama nga Asambleja e PS-së në Lushnjë deklaroi se opozita nuk lë asnjë rast pa sharë dhe shpikur në Bruksel, ndërsa kërkon bllokimin e rrugës drejt integrimit në BE.
Ai tha se më shumë do të zhytet opozita ndaj këtyre akuzave që i quajti të pavërteta.
“Maqedonia ka qenë në luftë të madhe politike dhe në prag konfliktit civil, por nuk ka bërë vaki të vijë opozita maqedonase në Bruksel duke u lutur ndalojeni Maqedoninë. Mali i Zi ka probleme të harmonisë etnike nuk ka bërë vaki të vijë opozita malazeze në Bruksel, ata kanë përfaqësinë e tyre me 50 veta, mijëra njerëz në Bruksel, shkojnë këta dhe u thonë atyre ça ndodh në Shqipëri. Bullgaria nuk ka paqe me zgjedhje stërzgjedhje. Por nuk ka ndodhur që partitë të nisen pas Berihajit dhe të bëjnë copash vendin e tyre. Këtë e bëjnë vetëm, ata që nuk i kemi përballë, i kemi prapa, gjithmonë e më prapa. Por ama, nuk ndodhin këto gjëra. Nuk dalin njerëzit nga vetja të sakatojnë vendin e tyre në gjuhë të huaj. I gënjen mendja se na mundin ne këtu duke dalë në TV jashtë shtetit, duke lehur në Bruksel. Sa më shumë e bëjnë këtë gjë, aq më shumë do zhyten. Jo të gjithë janë të lumtur që Shqipëria po bën progres. Kemi shkuar 1.5 mld investime të huaja.
E kemi marrë vendin me PBB nën 10 mld, sot jemi 27 mld. Në 2030 do shkojmë 35 mld. E kemi marrë më pak se 3 mijë euro për frymë, sot jemi 11 e 300 për frymë. Me pagë mesatare qesharake, sot kemi pagën e përgjithshme mesatare 870 euro. Rritet pasi rritet në sektorin privat. Në sektorin publik ka shkuar mbi 1000 euro. Kemi futur dhe për pagat për indeksimin. Kur rritja e pagës ishte x, inflacioni e ulte fuqinë blerëse. Sot nuk ka më, çdo pagë ka dhe indeksimin e inflacionit. Shumë e rëndësishme të jemi me këmbë në tokë, kokën lart dhe të shikojmë përpara.”, tha ai.
