Një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur në qytetin e Vlorës, ku dy adoleshentë dyshohet se furnizonin me drogë bashkëmoshatarët e tyre.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Bazuar edhe në informacione operative, efektivët ushtruan kontrolle në disa zona të qytetit dhe në akset kryesore.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, në lagjen “Pavarësia”, u ndaluan dhe u kontrolluan dy të mitur të dyshuar si shpërndarës droge. Nga kontrolli fizik ndaj 17-vjeçarit me iniciale D. M., policia gjeti në çantën e tij dhe në mbajtësen e kufjeve 10 doza të mbështjella me qese plastike, të dyshuara si kokainë. Po ashtu, në xhepin e tij u sekuestrua një sasi kanabisi e mbështjellë me letër alumini.
Të gjitha lëndët narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin, ndërsa 16-vjeçari që ndodhej me të u procedua në gjendje të lirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse të miturit janë pjesë e një rrjeti më të gjerë shpërndarjeje.
