Humbja e Orbanit pas 16 vitesh në pushtet si kryeministër shkaktoi sot një ekzaltim mbarë majtist dhe centrist të djathtë të paparë. Humbja e tij erdhi pas 4 mandateve rresht në pushtet, ç’ka përbën një periudhë shumë të gjatë suksesi personal që lë pak vënd për triumfalizëm nga kundërshtarët e tij nga Tirana e deri në Bruksel. I vetmi aktor legjitim që mund të gëzohet është rivali dhe ish-bashkëpunëtori i tij Peter Magyar, duke qënë se e sfidoi dhe e mundi. Ndërsa ushtria e liberalëve apo neo-komunistëve europianë apo më keq hibridëve të Tiranës nuk kuptohet pse gëzojnë.
Por le t’i marrim me radhë se kush dhe pse po gëzon për humbjen e Orban.
Të parët janë shumica e burokratëve të Brukselit dhe politikanët kryesisht të majtë evropianë që nuk e dijnë as vetë nëse janë liberalë, marksistë apo të dyja bashkë, ç’ka përbën një paradoks më vete. Arsyeja kryesore është se Orban është përshkruar si autokrat dhe i korruptuar. E këto cilësi e bëjnë dhe të krahasueshëm me Trump në narrativën e tyre konfuze po aq sa të rrezikshme. Por nëse i marrim të mirëqëna këto dy aludime dhe nuk kemi pse i përjashtojmë, lind pyetja: po këta vetë çfarë përfaqësojnë? Përgjithësisht janë politikanë që kanë kundërshtuar sulmet amerikane ndaj Iranit, qeveria e të cilit ka ekzekutuar rreth 40 mijë qytetarë të vetët pse kërkojnë të largojnë një qeveri teokratike dhe të zhytur në korrupsion masiv. Dhe janë po ata që kanë lejuar që ente jo-qeveritare në mes të evropës të financojnë Hamas-in, që ekzekutoi pa gjyq mbi 1000 civilë në Izrael më 7 nëntor të 2023! Ku është standardi dhe vërtëtësia në këtë paralele? Orban as ka vrarë njeri, e as krahasohet më Ajatollahët e Hamasin! Por nëse për Hamasin heshtin, për Orbanin po festojnë pa i fshehur emocionet.
Cështja e dytë ka të bëjë më qartësisht me politikën ndërkombëtare. E akuzojnë Orbanin si pro-Rus, ndërkohë që vetë i kanë hapur rrugë fuqizimit të partneritetit me Kinën që drejton BRICS-ic që sfidon bashkë me Rusinë perëndimin, përfshirë BE-në. Dhe kur u a thotë në sy JD Vancë në Mynih, shtrembërohen a thua se nuk kuptojnë se për cfarë flet zëvendësi i Trump. Për më tepër që Orban ka kërkuar vetëpërmajtje të perëndimit ndaj mbështetjes për Ukrainën, pasi Rusia e konsideron Ukrainë ashtu si Gjeorgjinë një vend tampon për sigurinë e saj kombëtare. Kjo mund të jetë e gabuar por Rusia këtë pikëpamje ka dhe e mbron me forcën e armëve. Ndërkohë që BE po lufton me cmimin e jetëve të ukrainasve! Pas 4 vitesh ende nuk e dijmë si do mbarojë lufta dhe me cfarë kostoje për mbështetësit e saj. E pra në njërën anë sulmojnë Orban, ndërsa në anën tjetër bëjnë biznes me Kinën komuniste. T’i konsiderosh konfuz është pak, ndërsa t’i quash hipokritë mund të jetë edhe e vërtetë për së dyti.
Por më hipokritët i gjen në Tiranën e së dielës së Pashkëve Ortodokse.
Të parët janë mediat pro-qeveritare dhe disa portale që brohoritën pa asnjë dilemë për humbjen e Orban. Edhe këta festojnë humbjen e autokratit dhe të korruptuarit hungarez, ndërkohë që vetë janë shndërruar në krye-avokatë të autokracisë së Ramës dhe korrupsionit të qeverisë së tij. T’u thuash hipokritë mbase është term shumë etik. Pasi i bie që të kenë dhe ndonjë bindje që e shtrembërojnë rrugës. Por kur gjykon nivelin e marrëdhënies që kanë me të vërtetat e mëdha të Shqipërisë, më shumë ngjajnë si disa “xhepistë me laps e tastiera në duar”. Fatkeqësisht kështu është! Por i pamenduar është dhe ndonjë zë opozitar që është ekzaltuar nga fitorja e opozitës hungareze ndaj “rregjimit të Orban”. Problemi i parë që del është se Orban ishte kryeministri që shkëlqeu në jubileun e 100-vjetorit në Tiranë, 16 vite më parë. Dhe një parti që rishkruan historinë e partnerëve të saj nuk di të shkruaj as të sotmen e as të ardhmen e saj. Dhë më keq akoma, regjimet na u rrëzokan edhe me votë! Ç’ka do të thotë se radikalizimi i protestave nuk qenka e vetmja zgjidhje siç trumbetojnë po vetë.
E pra, humbja e Orban nxori zbuluar një zinxhir hipokrizie sa ndërkombëtare po aq dhe shqiptare. Ndaj dhe kriza e këtushme është natyrshëm edhe rezonancë e krizës morale që ka përfshirë pse jo dhe një numër të madh aktorësh përtej kufijve tanë perëndimorë. Që këto janë kohë lufte është e qartë që nga Donbasi deri në Teheran. Aq sa polarizimi ideologjik ka arritur nivele të para-Luftës së Dytë Botërore. A jemi para të tretës? Mbase jo pasi nuk ka kush të luftojë. Por një gjë është e sigurt: morali këto kohë është bërë mall i vështirë për t’u gjetur në tregun politik!
