Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, i pyetur nga mediat, deklaroi se nuk ka akoma  një vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri që përfshiu kompleksin e pallateve në zonën e QSUT-së.

Hita tha se nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet, për të bërë një vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

“Kanë qenë dy banorë të evakuar nga shërbimet zjarrëfikëse dhe nga shërbimet e Policisë që në momentin e parë. Nuk kanë probleme shëndetësore të rënda përveç asfiksisë. Nuk kemi bërë bilancin përfundimtar të pasojave.

Pas fikjes së zjarrit, do ju bëjmë me dije bilancin përfundimtar të dëmeve. Janë paraqitur në QSUT punonjës të shërbimit zjarrëfikës. Ata janë mirë me shëndet dhe nuk kanë probleme të rënda”, tha drejtuesi i Policisë së Shtetit.

Sipas Hitës, në dispozicion të forcave zjarrfikëse, janë vënë në dispozicion repartet e FNSH-së, repartet speciale RENEA për hapjen e dyerve, që të mos kishim humbje jete.

“Akoma nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet. Po grumbullojmë gjithë provat e nevojshme. Do marrim gjithë kamerat e sigurisë dhe do kryejmë gjithë procedurat hetimore. Dhe nëse zjarri ka ardhur nga persona të jashtëm, patjetër që do ketë edhe masa ekstreme”, tha kryepolici Skënder Hita.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb