Një ngjarje tragjike është shënuar këtë të mërkurë, më 16 prill, në Malishevë, ku një zjarr ka përfshirë një banesë.

Sipas raportimeve paraprake, në momentin e rënies së zjarrit brenda banesës ndodheshin disa anëtarë të një familjeje.

Si pasojë e flakëve dhe asfiksisë nga tymi, deri më tani raportohen tre viktima, një i rritur dhe dy fëmijë.

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, bëri të ditur se viktimat janë babai me dy fëmijët e tij.

“Fatkeqësisht sot nga asfiksimi, nga zjarret në banesën e tyre kemi tri viktima, babai me dy fëmijë, vajzë dhe djalë. Sapo kemi marrë informacionet, policia, urgjenca, emergjenca, të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe stafi mjekësor i cili ka bërë të pamundurën, por në momentin kur është bërë njoftimi, ka qenë ndoshta paksa vonë dhe janë gjetë pa shenja jete babai me dy fëmijët e vet”, tha ai.

Krasniqi shtoi se të gjitha institucionet relevante janë angazhuar menjëherë për trajtimin e rastit.

“Policia, hetuesia, prokuroria, të gjithë ata janë duke e kryer punën e vet edhe ne lutemi edhe bëjmë presion që sa më shpejt të zbardhet rasti”, tha ai.

Sipas tij, shkaku i saktë i zjarrit ende nuk dihet, ndërsa dyshohet për asfiksim nga tymi. “Hetuesia është duke kryer punën e vet, por ajo që dihet nga stafi mjekësor është që vdekja ka ndodhur nga asfiksimi”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb