Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mirëpriti në ambientet e DPPSh-së, Drejtorin e Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar Policor, Drejtues i Lartë i Policisë italiane, z. Lorenzo Bucossi.

Në fokus të takimit ishte ecuria e bashkëpunimit shumë të mirë ekzistues ndërmjet policive të të dy vendeve.

Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita garantoi Drejtuesin e Lartë Lorenzo Bucossi, se marrëdhëniet shumëdimensionale mes dy policive do të forcohen akoma më shumë.

Nga ana e tij, Drejtuesi i Lartë Lorenzo Bucossi vlerësoi gatishmërinë, vendosmërinë dhe vizionin e Drejtor Hitës, për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe e ftoi atë për një vizitë pune në Policinë italiane.

Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e bashkëpunimit hetimor dhe operacional, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe intensifikimin e masave për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe të trafikimit të lëndëve narkotike.

Në fokus të takimit ishte edhe vijimi i operacioneve të përbashkëta për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit gjatë sezonit turistik, për praninë e policëve italianë në Durrës dhe Vlorë, në mbështetje të Policisë së Shtetit, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes akademive të Policisë, në fushën e trajnimit dhe edukimit policor.

Në këtë kuadër, u dakordësua që një punonjës i Policisë së Shtetit të ndjekë studimet në Akademinë e Policisë në Itali.

Në takim morën pjesë edhe Drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi, z. Giuseppe Giliberti, Drejtues i Parë i Policisë së Shtetit të Italisë, si edhe Eksperti për Sigurinë në ambasadën italiane në Shqipëri, Drejtues i Parë i Policisë italiane, z. Fulvio Manco.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb