Një armëpushim 10-ditor midis Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi në mesnatën e së enjtes, vetëm pak orë pasi u njoftua nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Megjithatë, tensionet nuk u shuan plotësisht, pasi ushtria libaneze raportoi shkelje izraelite në jug të vendit.

Armët duhej të heshtnin pas më shumë se një muaji e gjysmë luftimesh mes Izraelit dhe Hezbollah, grupi i mbështetur nga Irani. Sipas gazetarëve në terren, në momentin e hyrjes në fuqi të armëpushimit u dëgjuan të shtëna të forta armësh në jug të Bejrut, të cilat besohet të kenë qenë në shenjë festimi.

Ndërkohë, Trump sinjalizoi gjithashtu përparim të mundshëm në bisedimet me Iranin, duke deklaruar se një marrëveshje mund të jetë afër. Ai theksoi se Teherani mund të pranojë kushte që më parë i kishte refuzuar, përfshirë heqjen dorë nga armët bërthamore.

Vetëm disa orë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ushtria libaneze akuzoi Izraelin për “shkelje” të armëpushimit, duke raportuar sulme sporadike dhe bombardime artilerie në disa fshatra në jug. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të mos kthehen menjëherë në zonat e prekura.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite paralajmëroi se do të ruajë pozicionet e saj në jug të Libanit dhe u kërkoi civilëve të shmangin zonat përreth lumit Litani.
Pavarësisht paralajmërimeve, shumë qytetarë nisën të kthehen në shtëpitë e tyre, duke krijuar trafik të rënduar në rrugët kryesore drejt jugut.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb