Një studim i publikuar nga “JAMA Network Open” dhe i realizuar nga studiues të Universitetit të Karolinës së Jugut, në bashkëpunim me “Women’s Health Initiative” (Iniciativa për Shëndetin e Grave) – sugjeron se konsumimi i shpeshtë i pijeve të gazuara me sheqer, mund të lidhet me një rritje të konsiderueshme të rrezikut për zhvillimin e kancerit te mëlçisë, sipas “Science Direct”.
Sipas studimit, gratë që konsumonin një ose më shumë pije të ëmbla në ditë kishin deri në 78–85% rrezik më të lartë për kancer të mëlçisë – krahasuar me ato që i konsumonin rrallë ose aspak.
Po ashtu, u vu re një rritje e vdekshmërisë nga sëmundjet kronike të mëlçisë në këtë grup.
Studiuesit theksojnë se lidhja nuk është domosdoshmërisht shkak-pasojë, por mund të shpjegohet nga ndikimi i sheqerit në funksionin e mëlçisë.
Konsumi i lartë i pijeve me sheqer lidhet me zhvillimin e sëmundjes jo-alkoolike të mëlçisë së dhjamosur, një gjendje ku yndyra grumbullohet në qelizat e mëlçisë.
Një faktor kyç është fruktoza, e cila metabolizohet kryesisht në mëlçi.
Marrja e tepërt e saj mund të çojë në akumulim të yndyrës, stres oksidativ dhe inflamacion kronik – procese që me kalimin e kohës mund të rrisin rrezikun për komplikacione serioze, përfshirë kancerin.
Ekspertët e shëndetit publik rekomandojnë kufizimin e konsumit të pijeve me sheqer dhe zëvendësimin e tyre me ujë ose alternativa me pak sheqer.
