Në Bullgari mbahen sot zgjedhjet e parakohshme, të tetat me radhë brenda pesë viteve të fundit.
Në letër sipas anketave favorit shihet të jetë Rumen Radev, ish president i Bullgarisë. Radev ka premtuar se do t’i japë Bullgarisë një fillim të ri nëse koalicioni i tij i qendrës së majtë “Bullgaria Progresive” fiton zgjedhjet.
“Bullgaria Progresive paraqitet si një alternativë ndaj kartelit të korruptuar të partive të vjetra, të cilat po na sulmojnë me një sërë taktikash të pandershme. Qëllimi ynë në zgjedhjet e ardhshme është të sigurojmë një shumicë të plotë”, deklaroi Rumen Radev – Kandidat për kryeministër.
Në fushatën politike zuri vend edhe humbja e Orbanit në Hungari, ndërsa ish kryeministri Bojko Borisov e quajti Radevin si një Viktor Orban të ri.
Viktor Orbán është një antikomunist dhe një mik që ka arritur shumë, por dallimet mes nesh janë të konsiderueshme. Tani kemi një ‘Viktor Orbán të ri’ këtu në personin e Rumen Radev, dhe nuk është rastësi që ministri i jashtëm i Hungarisë e vizitoi atë fshehtas”, tha – Bojko Borisov – GERB.
Analistja Evelina Slavkova tha se Radev nuk ka gjasa të bëjë përpjekje për ta orientuar Bullgarinë më shumë drejt Rusisë. Por për këtë, ajo kritikoi Radevin se gjatë fushatës nuk i ka sqaruar këto gjëra në mënyrë më precize.
“Vendi ynë ka pasur sukses pavarësisht të gjitha pengesave dhe mosmarrëveshjeve nga disa politikanë, të ndërtojë një paketë shumë të rëndësishme mekanizmash që e mban Bullgarinë në drejtimin e duhur. Anëtarësimi i Bullgarisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe pjesëmarrja në Eurozona dhe në Zona Shengen, janë mjete që na mundësojnë të jemi shumë më të qetë”, theksoi Evelina Slavkova – analiste.
Zgjedhjet e parakohshme në Bullgari vijnë pas dorëheqjes së një qeverie të udhëhequr nga konservatorët mes protestave kundër korrupsionit në dhjetor të vitit të kaluar. Që nga viti 2021 kur pati dhënë dorëheqje kryeministri i atëhershëm Bojko Borisov, asnjë qeveri nuk ka mbijetuar më shumë se një vit. Kjo ka çuar në rritje të mosbesimit ndaj institucioneve, apati të votuesve dhe ulje e pjesëmarrjes në zgjedhje
