Ukraina ka goditur disa objekte të rëndësishme të industrisë së naftës në Rusi, vetëm pak kohë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën të zbusin përkohësisht kufizimet mbi eksportet e naftës ruse.
Sipas burimeve zyrtare ukrainase, gjatë natës janë shënjestruar dy rafineri në rajonin e Samarës, si edhe pika të tjera strategjike. Mes tyre përfshihet një terminal nafte në Krasnodar, porti i Vysotskut në Detin Baltik dhe një depo karburanti në Sevastopol, në Krimenë e pushtuar.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk dha një konfirmim të drejtpërdrejtë për këto goditje, por deklaroi se mbrojtja ajrore ka neutralizuar 258 dronë ukrainas. Ndërkohë, autoritetet lokale në disa rajone pranuan se ka pasur shpërthime dhe zjarre në objekte të ndryshme.
Në rajonin e Krasnodarit, zyrtarët raportuan se një depo nafte në Tikhoretsk u përfshi nga flakët, ndërsa për shuarjen e tyre u angazhuan dhjetëra mjete dhe qindra efektivë.
Komandanti i njësive të dronëve ukrainas, Robert “Madyar” Brovdi, e cilësoi operacionin si një reagim të drejtpërdrejtë ndaj vendimit amerikan për të lejuar përkohësisht eksportet e naftës ruse, duke e quajtur këtë hap “cinik” dhe me pasoja për jetët e ukrainasve.
Vendimi i Departamentit Amerikan të Thesarit, i miratuar të premten, lejon eksportet e naftës ruse deri më 16 maj, me synimin për të lehtësuar presionin mbi tregjet globale të energjisë, të ndikuara nga tensionet në Lindjen e Mesme.
Ky është rasti i dytë që administrata amerikane ndërmerr një masë të tillë, pavarësisht kritikave, ndërsa të ardhurat nga energjia vazhdojnë të jenë një burim i rëndësishëm financimi për luftën e Rusisë.
Analistët paralajmërojnë se zhvillimet e fundit mund të rrisin më tej tensionet në rajon, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të energjisë mbeten të paqëndrueshme.
