Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka mbajtur një fjalim në seancën plenare të Kuvendit, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, manipulim të realitetit dhe përdorim të dhunës ndaj qytetarëve dhe opozitës.

Në nisje të fjalës së tij, Gjekmarkaj theksoi se në jetën publike “fjala nuk është thjesht komunikim, por akt ndërgjegjeje mes së vërtetës dhe gënjeshtrës”, duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike.

Ai akuzoi Kryeministrin Edi Rama për mbrojtjen e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, për të cilën kreu i qeverisë tha se jetonte me qira, ndërkohë që SPAK sekuestroi disa prona të saj para disa ditësh.

Duke iu referuar hetimeve të SPAK, Gjekmarkaj pretendoi se janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme, që sipas tij tregojnë nivelin e korrupsionit në vend.

“Realiteti nuk është propagandë. Realiteti është fakti që një ‘e pastrehë’ rezulton me apartamente dhe vila,” u shpreh ai, duke e lidhur këtë me atë që e quajti “sistem klientelist dhe të korruptuar”.

Deputeti demokrat solli gjithashtu në vëmendje procesin e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019 në Lezhë dhe zona të tjera, duke pretenduar se premtimet nuk janë realizuar dhe se qytetarët ende presin strehim.

Në fjalën e tij, Gjekmarkaj akuzoi gjithashtu institucionet e rendit për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, duke përmendur drejtues policie dhe ministra, të cilët sipas tij justifikojnë veprimet e dhunshme si “rend dhe ligj”.

Ai përmendi edhe disa figura të opozitës, përfshirë Sali Berishën, duke thënë se ndaj tyre është përdorur trajtim selektiv dhe i padrejtë.

Në përfundim të fjalës së tij, Gjekmarkaj u shpreh se Shqipëria ndodhet në një “realitet të përmbysur”, ku, sipas tij, i ndershmi ndëshkohet ndërsa i korruptuari favorizohet, duke theksuar se shumë qytetarë po largohen nga vendi për shkak të kësaj situate.

Fjala e plotë

Zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar kolegë,

Në jetën publike ka momente kur fjala nuk është thjesht mjet komunikimi, por akt ndërgjegjeje per të marrë anen e genjeshtres apo të vertetes!

Edi Rama u përpoq të ngjallte keqardhje për një ish-drejtoreshë të paraqitur si e pastrehë, atë të Akshit !
Nuk jam kunder keqardhjes kur ajo është e merituar ! Jam kunder saj kur eshte e stisur, jam kunder saj kur perdoret si mjet manipulimi publik e politik!

Por dje Spaku foli per rreth 50 milion euro sekuestrime prona te zonjes dhe çetes pas saj, keto jane punet e verteta qe ju beni per shqiperine, dikush, merr 20, dikush 50 dikush 100 ato qe rrefeni sa aty ketu jane paturpesi!

Por siç na kujton Aristoteli, “drejtësia është virtyti që i jep secilit atë që i takon”.
Dhe në këtë rast, e vërteta i ka dhënë secilit jo atë që deklaron, por atë që fsheh.

Sepse realiteti nuk është narrativë propagande.
Realiteti është fakti që një “e pastrehë” rezulton me disa apartamente, vila dhe prona të tjera të padeklaruara.

Një avokat tregonte këto ditë një histori që nuk është thjesht episod, por metaforë e realitetit: për dy protestues të arrestuar, prokuroria kishte kërkuar masën “arrest në shtëpi”. Problemi? Të dy nuk kishin shtëpi. Ishin realisht të pastrehë. Mbrojtja u gjend përballë një dileme absurde: nëse e thoshin të vërtetën, rrezikonin t’i çonin në burg; nëse nuk e thoshin, lindte pyetja – ku do të zbatohej masa e arrestit në shtëpi?

Realiteti është që korrupsioni nuk është devijim, por është kthyer në sistem, në perditshmeri, në fytyrë.

Ndërkohë, disa kilometra larg zyrave të luksit, në Lezhë dhe në shumë zona të tjera, qytetarë të ndershëm presin ende një çati mbi kokë.

Disa familjeve ju hoq edhe çatia që kishin mbi kokë ditet e fundit!

Kanë kaluar vite nga tërmeti i vitit 2019 dhe premtimet për rindërtim mbeten ende në ajër.

Paratë janë shpërndarë, tenderat janë dhënë, propaganda është konsumuar — por shtëpitë mungojnë.
Tragjedia natyrore u shnderrua në parodi korrupsioni!

Kjo nuk është më kontradiktë.
Ky është një rend i përmbysur moral.
Një sistem ku:
– pasuria perftohet nga lidhjet politike, jo nga merita ;
– ndihma sociale kthehet në instrument klientelizmi;
– dhe qytetari i zakonshëm trajtohet si spektator i padrejtësisë së përditshme.

Por ajo që e rëndon më shumë këtë tablo është dhuna.

Dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë.

Dhuna ndaj atyre që guxojnë të ngrenë zërin kundër kapjes së drejtësisë dhe korrupsionit.

Dhuna që nuk është më episodike, por e strukturuar. Dhuna si forme komunikimi me shoqerinë, pema qe tentojnë të rrisin në token e frikes!

Në këtë kontekst, nuk mund të mos përmendet roli i drejtuesve të policisë, rasti i Skënder Hitajt, policia e te cilit në raportin e Osbe- Odir per qarkun e Fierit çertifikohet si dhunuese e zgjedhjeve të lira!
Pas kësaj figure, që simbolizon zellin e tepruar në shërbim të pushtetit, vjen edhe zëri i squllur politik që përpiqet ta justifikojë këtë realitet — Lamellari.

Me një diskurs që shpesh tingëllon si shtrembërim i vetë gjuhës shqipe, ministri si atentator i saj i cili del përpara publikut për të shpëlarë dhunën policore dhe politike, duke e paketuar atë si “rend”, si “ligj”, si “domosdoshmëri” duke leshuar glaca zanore mbi protestuesit !

Retorika e ligjit nuk është fasadë për të mbuluar abuzimin, dhe fjala nuk mund të përdoret pafundësisht për të fshehur të vërtetën pa humbur çdo kuptim.

E kemi parë këtë edhe në sallën e Kuvendit dhe jashtë saj:
– ndaj Xhelal Mziu,
– ndaj Flamur Nokes
-ndaj Klevis Balliut
– ndaj Luciano Boçit
– dhe në mënyrë të përsëritur ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.

Selektiviteti në zbatimin e forcës është forma më e rrezikshme e padrejtësisë, sepse ajo maskohet si ligj, ndërkohë që është arbitraritet.

Një pushtet që vepron me nervozizëm dhe frikë, është një pushtet që e ndjen se ka humbur legjitimitetin.

Dhe si çdo pushtet i tillë, ai i drejtohet dhunës për të mbuluar boshllëkun moral.

Sot, flamuri i kësaj qeverisjeje nuk është vizioni.

Është shkopi i gomës. Shkopi i Ilirit , i Skenderit dhe neser i Nuredinit !

Doktrina e saj nuk është drejtësia.
Është korrupsioni.

Gjuha e saj nuk është dialogu.
Është propaganda dhe sharja.

Siç thoshte Hannah Arendt, “dhuna shfaqet aty ku pushteti është në rrezik”. Dhe sot, dhuna që shohim është dëshmia më e qartë e një pushteti që nuk bind më, por imponon.

Dhe pikërisht këtu del në pah absurdi më i dhimbshëm i këtij sistemi.

Ky nuk është thjesht paradoks juridik. Ky është thelbi i sistemit tuaj.

Për të varfrit – absurdi, frika dhe ndëshkimi. Për të korruptuarit – komoditeti, pasuria dhe mbrojtja.

Prandaj pyetja mbetet: për kë qeveriset ky vend?

Për qytetarët që presin drejtësi dhe dinjitet?
Apo për ata që numërojnë prona dhe privilegje?

Përgjigjja nuk është më çështje interpretimi. Është përjetim i përditshëm.

Dhe në fund, me gjithë ironinë që realiteti vetë na imponon, mbetet vetëm një apel:

Nëse ky sistem vazhdon të prodhojë “të pastrehë” me vila dhe apartamente, ndërkohë që të pastrehët e vërtetë përballen me absurditete të tilla, atëherë nuk kemi më krizë të drejtësisë — kemi përmbysje të saj.

Sepse në këtë realitet të përmbysur, i ndershmi ndëshkohet dhe i korruptuari rehatohet — madje edhe në arrest shtëpie. Ndaj Shqiptaret ikin si të namur, nga trojet e veta, nga familja, kujtimet, tradita si njerez pa atdheu sepse atdheu i tyre eshte pushtuar nga korrupsioni e banaliteti i nje kaste!

Nuk mund te fajesoj vetem sunduesit e keqij nese perifrazoj Xhorxh Oruellin por edhe shoqerine e cila lejon ta sundoje në këtë menyre!

Faleminderit

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb