Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar një leksion të hapur me studentët e drejtësisë në Universitetin Luarasi, ku u diskutua mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë pas reformës në drejtësi.
Në këtë aktivitet, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ndau reflektime mbi rolin e institucionit që drejton, si dhe mbi pavarësinë e gjyqësorit, llogaridhënien dhe ndarjen e pushteteve.
Ai theksoi se reforma në drejtësi ka ndërtuar një “arkitekturë të re institucionale”, e cila sipas tij përbën një strukturë më të qëndrueshme dhe funksionale të sistemit të drejtësisë në vend.
Sipas Metanit, një nga arritjet kryesore të reformës është fakti që gjyqtarët dhe prokurorët sot ushtrojnë detyrën e tyre pa presion apo trysni të jashtme, falë mekanizmave kushtetues dhe ligjorë që garantojnë hetimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të mundshme.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, u theksua gjithashtu rëndësia e rolit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë si një mekanizëm kyç në forcimin e integritetit dhe transparencës në sistemin gjyqësor.
