TIRANE- Në pritje për të pyetur gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, të pezulluar nga detyra, Majlinda Andrea, Prokuroria e Përgjithshme hedh dritë mbi përgjimet telefonike të cilat implikojnë direkt bashkëshortin e saj, Odhise Andrea e për rrjedhim edhe gjyqtaren.

Odhisea Andrea komunikon intensivisht me Petraq Dashin, madje edhe e takon duke negociuar çmimin në Rrogozhinë, derisa bien dakord për të ulur nga tarifa e kërkuar prej 60 mijë eurosh duke e zbritur në 50 mijë euro.

Ryshfeti dyshohet të jetë marrë nga bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, i shpallur në kërkim pas një mase “arrest në burg” dhë në mungesë ndaj tij. Në përgjimet e publikuara, pjesë e dosjes së Prokurorisë së Përgjithshme, zbardhen bisedat e konsumuara mes Ilia Çabirit, një prej përfituesve të pronës, dhe Petraq Dashit, i dyshuar si ndërmjetës i tyre te bashkëshorti i gjyqtares, Odhise Andrea, e më pas edhe mes këtyre të fundit.

Në bisedat e konsumuara në harkun kohor 4 qershor-­11 korrik 2016, ata diskutojnë për shumën që duhet të paguhet, përpjekjet për sigurimin e saj, si dhe faktin se bashkëshorti i gjyqtares pranonte vetëm para të thata dhe jo tokë. Gjatë kontakteve telefonike, të dyshuarit përpiqen të mos s përmendin emra, apo të përdorin fraza të koduara për ryshfetin.

Gjatë përgjimeve, të akuzuarit e tjerë, Ilia Cabiri dhe Eleni Lino flasin në telefon me Petraq Dashin për çmimin se sa kërkojne “atje lartë” për ta zgjidhur çështjen dhe Petraqi shprehet se kjo punë në Gjykatën e Larte do “graso”. Pasi takohet me Odhise Andrean, Ilia Cabiri interesohet në telefon për shumën e saktë duke pohuar se janë gati të japin tokë, por Petraq Dashi i përgjigjet se nuk duan as toka, as gjë, por i duan “të thata”.

Ai na e uli, shprehet Petraqi, nga 60 në 50 dhe për ne kjo është gjë e madhe, ndonëse Ilia Cabiri shton i pakënaqur se shumë janë edhe kaq. Një ditë pas kësaj telefonate, palët tërheqin shumën pranë një pike transferte monetare në Fier, ndërkohë që dy orë pas këtij veprimi, Petraq Dashi komunikon sërish në telefon me bashkëshortin e gjyqtares. Petraq Dashi e pyet Odhise Andrean se kur do që të takohen, ndërsa ai i përgjigjet se sa më shpejt, aq më mirë se “vapë e madh dhe ikin njerëzit”.

Brenda ditës, Petraq Dashit ja dorëzon paratë në një qese të mbështjellë me letër, ndërkohë që të nesërmen e dhënies së lekëve, Gjykata e Lartë me anëtare në trupë gjyqësore Majlinda Andrean, vendosi në dhomë këshillimi mospranim rekursi në favor të palës që pagoi.

PËRGJIMET
Në datën 04 qershor 2016, në orën 11:39, është zhvilluar një bisedë telefonike midis shtetasve Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi:

Petraqi: Unë e di për çfarë më more, po vëllai kam filluar që më del gjumi natën për atë muhabet. Po matem t’i vete te shtëpia, ta marr në telefon, po meqë e lamë kështu me atë, nuk dua t’i dal nga llafi.

Ilia: Po.

Petraqi: E kupton, që të më thotë ore ne e lamë se unë do të marr vetë, më kupton pse. Po mua më kanë hyrë ethet, nuk e di.

Ilia: Ti e di atë punë o presor, ç’të themi, ti e njeh mirë.

Petraqi: Jo, po muhabeti vajti mirë fare, me një fjalë nga muhabeti i fundit që u ulëm ne, u bë e qartë që ky muhabet do grason, në rregull, graso, graso, kupton?

Ilia: Po.

Petraqi: Eee dakord, edhe i thashë e rëndësishme është të mos jetë ndonjë gjë e rëndë. Jo, jo, më tha mua, janë gjëra brenda asaj që janë të logjikshme.

Ilia: Po mirë.

Petraqi: Po mos të jenë kopaçe brenda, kështu më tha. Tani pas këtij muhabeti më mori pastaj, ashtu siç ta kam thënë gjithmonë, e gjërat janë në proces, do të marr unë, ti mos merr më. Do të marr unë, do të lajmëroj unë.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb