Pedagogu Afrim Osmani, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te diskutimet për reformën zgjedhore dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Sipas Osmanit, opozita dhe pozita kanë hyrë në tryezën e diskutimeve për kodin zgjedhor duke vendosur vetë rregullat e lojës, çka sipas tij kufizon përfaqësimin dhe transparencën. Ai theksoi se në këtë proces duhet të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe komuniteteve lokale, për të garantuar një reformë më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

“Në këtë lloj bashkërendimi të bisedimeve, publiku do të ishte më i mbrojtur dhe reforma zgjedhore do të ishte shumë më cilësore”, u shpreh Osmani, duke shtuar se përfshirja më e gjerë do të rriste besimin e qytetarëve te procesi.

Një tjetër çështje që ai ngriti ishte fenomeni i patronazhimit, të cilin e cilësoi si problematik dhe që duhet të goditet njëkohësisht me reformat politike, për të garantuar standarde më të larta demokratike.

Duke komentuar edhe zhvillimet që lidhen rastin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, Osmani u shpreh se kjo situatë i ka dhënë një goditje të fortë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Ai nënvizoi se integrimi nuk është monopol i asnjë force politike, por një aspiratë kombëtare që duhet të mbështetet nga të gjithë.

“Në fund të ditës është populli ai që përfiton nga integrimi evropian. Askush nuk ka të drejtë ta bllokojë këtë rrugëtim për arsye të politikës së ditës”, deklaroi ai, duke shtuar se edhe kur ka mosmarrëveshje politike, ato nuk duhet të çojnë në pengimin e procesit të integrimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb