Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas publikimit të një mesazhi të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, që sipas tij përmban gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e tij, Bardhi dënon “me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok” deklaratën që e cilëson skandaloze dhe denigruese. Ai thekson se është e papranueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve me terma ofendues, duke shtuar se një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik.
“Është e patolerueshme që ministri përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të përdorë një gjuhë të tillë. Një deklaratë e tillë e bën të pamundur vijimin e detyrës qoftë edhe për një minutë më shumë”, shprehet Bardhi.
Sipas tij, kjo retorikë jo vetëm që cenon dinjitetin e shqiptarëve, por krijon edhe perceptimin se përfaqësues të caktuar nuk mbrojnë interesat e Shqipërisë.
Më tej, ai theksoi se një qëndrim i tillë bie ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Hoxha.
Reagimi i plotë:
Dënoj me forcën më të madhe dhe pa asnjë ekuivok deklaratën skandaloze dhe fyese të Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtuar shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Është e papranueshme dhe e patolerueshme që një zyrtar i lartë publik t’u referohet shqiptarëve si “idiotë”. Një qëndrim i tillë e përjashton menjëherë nga çdo funksion publik dhe e bën të pamundur vijimin e ushtrimit të detyrës, qoftë edhe për një minutë më shumë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ministrin përgjegjës për përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Kjo gjuhë e papërgjegjshme dhe denigruese jo vetëm që cenon rëndë dinjitetin e shqiptarëve, por krijon bindjen se kemi të bëjmë me një përfaqësues që flet në frymën e propagandës së huaj dhe jo në interes të Republikës së Shqipërisë. Kjo deklaratë është e denjë vetëm për Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç.
Një retorikë e tillë bie haptazi ndesh me nenin 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Ferit Hoxha duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Çdo vonesë është e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin politik dhe institucional ta shkarkojë pa asnjë hezitim dhe të distancohet publikisht dhe qartë nga kjo gjuhë fyese dhe e papranueshme, që të kujton retorika të errëta të së kaluarës kundër shqiptarëve.
Çdo minutë më shumë në detyrë është një fyerje për shqiptarët dhe një njollë për Republikën e Shqipërisë.
