Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër pas qëndrimit të Ministrisë së Jashtme, e cila mohoi ekzistencën e një mesazhi të atribuar ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ku ishte përdorur një gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në reagimin e tij publik, Këlliçi e cilësoi të papranueshme mënyrën se si, sipas tij, po tentohet të trajtohet çështja përmes fshirjes së mesazheve dhe mohimit të deklaratave.

“Ky incident i rëndë nuk mund të kalohet duke fshirë mesazhin dhe duke gënjyer përmes zëdhënësve për media,” u shpreh Këlliçi, duke shtuar se sipas tij gjurmët e komunikimit ekzistojnë ende në grupet diplomatike.

  • foto galeri
  • foto galeri

Ai akuzoi ministrin se jo vetëm ka bërë një koment poshtërues, por edhe ka nisur një proces, të cilin e cilësoi si “gjueti shtrigash”, për të identifikuar personin që e ka bërë publik mesazhin.

Sipas Këlliçit, përpjekjet për të mohuar ngjarjen nuk e zhbëjnë skandalin dhe nuk e zgjidhin situatën e krijuar. Ai theksoi se e vetmja zgjidhje është dorëheqja e menjëhershme e ministrit.

“Çdo orë dhe çdo ditë më shumë në krye të Ministrisë së Jashtme është një dëm për institucionin dhe një turp për vendin,” deklaroi deputeti demokrat.

Çështja ka ngjallur debat politik, ndërsa priten reagime të mëtejshme nga institucionet zyrtare.

Reagimi i Këlliçit:

Ferit, nuk kalohet ky incident i rëndë, kjo shkelje e paprecedentë e etikës duke fshirë mesazhin, ku ke fyer shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe duke genjyer me zëdhënës për media.
Gjurmët e tua janë aty, tek grupi “Ambasadorët”.
Jo vetëm e ke bërë atë koment poshtërues, por tani ke nisur gjuetinë e shtrigave për të gjetur personin që nxori mesazhin.
Nuk e mbulon dot skandalin me mashtrim.
Jep dorëheqjen, është e vetmja mënyrë që të shpëtosh dinjitetin e Institucionit që drejton dhe të korrigjosh dëmin që ke shkaktuar në diplomacinë e Shqipërisë.
Çdo orë, çdo ditë më shumë e jotja në krye të Ministrisë së Jashtme është një turp për të gjithë ne.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb