Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se, mbi bazën e informacioneve paraprake të siguruara në rrugë operative nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (ShKBB), është kryer transferimi i një të dënuari me burgim të përjetshëm për arsye sigurie.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi, i dënuari Mikolvan Parubi është transferuar nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin drejt IEVP Burrel.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në ambientet e IEVP Burrel, në sendet personale të të dënuarit është konstatuar një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur në një çorape.

Menjëherë pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit, strukturat e ShKBB-së si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin e dyshuar për kryerjen e analizave përkatëse.

Autoritetet bëjnë me dije se rasti po ndiqet në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve rithekson angazhimin për të luftuar çdo formë paligjshmërie brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb