Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar sot Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë të të gjitha seancave të procesit gjyqësor ndaj tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta thekson se kërkesa bëhet “në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe bashkëkombasve kudo që ndodhen”, duke shtuar se gjatë karrierës së tij ka shërbyer në detyra të larta shtetërore, përfshirë President të Republikës, Kryetar Kuvendi dhe Kryeministër.

Ai kërkon që seanca e parë, e caktuar për të hënën, më 27 prill 2026, e në vijim të gjithë procesit, të transmetohet drejtpërdrejt, duke përfshirë edhe aksesin për mediat dhe gazetarët.
“Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik”, thuhet në deklaratën e tij.

Postimi i plotë:

Në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë bashkëkombasve, kudo që ndodhen, të cilëve u kam shërbyer me përkushtim, përgjegjësi maksimale dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem sot Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë (live) të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, të hënën, më datë 27 prill 2026 dhe deri në fund.
Në funksion të informimit publik, të gjithë gazetarëve dhe mediave të interesuara duhet t’ju garantohet sinjali i transmetimit (live).
Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb